Botë

Arrestohet adoleshenti që planifikoi sulm në një stacion treni në Austri

adoleshenti ne Austri qe planifikoi sulm

Foto: AP

Hetuesit austriakë kanë arrestuar një 14-vjeçar, i cili dyshohet se po planifikonte një sulm në një stacion treni në Vjenë dhe kanë gjetur material që sugjeron se ai mbështeste grupin e Shtetit Islamik, kanë njoftuar autoritetet të mërkurën, raporton agjencia e lajmeve “AP”. 

Ministria e Brendshme ka njoftuar se i riu, austriak me origjinë turke, ishte arrestuar në kryeqytet me 10 shkurt. Ai thuhet se ishte radikalizuar nga interneti. Arrestimi erdhi pasi disa burime të inteligjencës austriake gjetën se një mbështetës i Shtetit Islamik ka postuar storie dhe video me përmbajtje ekstremiste islamike në disa profile në TikTok.

I dyshuari ishte identifikuar dhe prokurorët kanë urdhëruar arrestimin e tij nën dyshimin për anëtarësimin në ndonjë organizatë terroriste ose kriminale. 

Sipas ministrisë gjatë arrestimit i riu kishte me vete një thikë. Gjatë kontrollimit të shtëpisë së tij, hetuesit kanë gjetur shumë libra me përmbajtje ekstremiste islamike si dhe disa vizatime të sulmeve me thika në një stacion dhe kundër policisë, dhe vizatime të luftëtarëve me flamurin e Shtetit Islamik. Po ashtu ata kanë gjetur udhëzime të shkruara me dorë për të prodhuar material eksploziv që shërben si detonatorë për bombë. 

Sipas autoriteteve material që do të përdorej për të bërë një bombë është gjetur në bodrumin e ndërtesës, bashkë me thika tjera. I dyshuari ka refuzuar të flasë në intervistën e parë për policinë. 

Ministria e Brendshme ka njoftuar se caku i sulmit ishte Westbahnhof, një stacion i madh i trenit në Vjenë, ndërkohë që nuk është dhënë ndonjë datë se kur do të ndodhte sulmi. 

Një adoleshent ka vdekur dhe pesë persona të tjerë janë plagosur në një sulm me thikë fundjavën e kaluar në Villach, në jug të Austrisë, nga një person me lidhje të mundshme me Shtetin Islamik. I dyshuari ishte një 23-vjeçar sirian, i cili është arrestuar mbrëmjen e së shtunës.