Tre shtetas gjermanë janë arrestuar të dyshuar për spiunazh në favor të Kinës dhe bartje të informacionit mbi teknologjinë me përdorime të mundshme ushtarake, raporton agjencia “AP”. Prokurorët thanë se tre shtetasit gjermanë akuzohen se kanë vepruar për inteligjencën kineze para qershorit të vitit 2022. Ata gjithashtu dyshohen se kanë shkelur ligjet gjermane të eksportit duke eksportuar një laser special pa leje.
Një nga të dyshuarit, i identifikuar vetëm si Thomas R., në përputhje me ligjet gjermane të privatësisë, dyshohet se ishte agjent i një punonjësi të Ministrisë së Sigurisë Shtetërore të Kinës dhe kishte siguruar informacion në Gjermani për “teknologjitë inovative të përdorshme ushtarakisht”. Për ta bërë këtë, thanë prokurorët, ai përdori Herwig F. dhe Ina. F, një çift që zotëron një kompani në Duseldorf, e cila u përdor për të kontaktuar dhe punuar me studiues gjermanë, raporton Associated Press.
E policia britanike ndërkohë, akuzoi të hënën dy burra për spiunazh për Kinën, duke përfshirë një të raportuar se kishte punuar si studiues në parlamentin britanik për një ligjvënës të shquar nga Partia Konservatore në pushtet. Dy burrat, të moshës 32 dhe 29 vjeç, u akuzuan për ofrimin e informacioneve paragjykuese në Kinë në kundërshtim me Aktin e Sekreteve Zyrtare dhe do të dalin në gjykatë të premten.