Botë

Armët amerikane të mbetura në Afganistan po u shiten grupeve militante

taleban

Foto: Associated Press

Gjysmë milioni armë amerikane të marra nga talibanët në Afganistan kanë humbur, janë shitur apo kontrabanduar për te grupet militante, sipas disa burimeve të “BBC-së” – me Organizatën e Kombeve të Bashkuara që beson se disa kanë rënë në duart e grupeve të lidhura me Al-Qaedan. 

Talibanët kanë pasur në kontroll rreth një milionë armë dhe pjesë të pajisjeve ushtarake – shumica të financuar nga SHBA-ja – kur kanë rimarrë kontrollin e Afganistanit në vitin 2021, sipas një ish-zyrtari afgan që foli në kushte anonimiteti. 

Derisa talibanët po avanconin përmes Afganistanit në vitin 2021, shumë ushtarë afganë janë dorëzuar apo arratisur, duke i braktisur armët dhe veturat e tyre. Disa pajisje thjeshtë janë lënë mbrapa nga forcat e SHBA-së. 

Armët përfshinin automatikë të prodhuar në SHBA si M4 dhe M16, si dhe armë më të vjetra që kanë mbetur nga dekada konflikt. 

Sipas disa burimeve, në Komitetin e Sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së me dyer të mbyllura në Doha në fund të vitit të kaluar, talibanët kanë pranuar se nuk dinë për rreth gjysmës së pajisjeve të tyre. 

Një person nga komiteti tha se kanë verifikuar disa burime tjera rreth mungesës së informacioneve për vendndodhjen e gjysmë milioni pajisjesh. 

Në një raport në shkurt, OKB-ja ka theksuar se grupet të afërta me Al-Qaedan, duke përfshirë Tahreek-e-Taliban Pakistan, Lëvizjen Islamike të Uzbekistanit, Lëvizjen Islamike të Turkestanit lindor, dhe lëvizjen Ansarullah në Jemen, kanë pasur qasje në armët e kapura nga Talibanët apo i kanë blerë në tregun e zi. 

Një raport i vitit 2023 i OKB-së thoshte se talibanët kanë lejuar komandantët lokalë të marrin 20% të armëve të lëna nga SHBA-ja, dhe se tregu i zi ka lulëzuar si rezultat. Këta komandantë janë të lidhur me talibanët por zakonisht kanë një nivel autonomie në rajonet e tyre.