Botë

Armëpushimi Izrael-Hezbollah po vazhdon, thotë Blinkeni

Antony Blinken

Antony Blinken

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, ka thënë të mërkurën se marrëveshja e armëpushimit midis Izraelit dhe Libanit po vazhdon pavarësisht një sërë incidentesh, teksa Bejruti akuzon Tel Avivin për kryerjen e mbi 100 shkeljeve që nga nënshkrimi i saj javën e kaluar.

"Armëpushimi po mbahet dhe ne po përdorim mekanizmin që u krijua kur ka lindur ndonjë shqetësim për ndonjë shkelje të supozuar”, u ka thënë Blinken gazetarëve pas një takimi të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel.

Ai i referohej mekanizmit mbikëqyrës të krijuar nga SHBA-ja dhe Franca, që synon "të sigurojë që armëpushimi të monitorohet dhe zbatohet në mënyrë efektive".

"Ne duam të sigurohemi që të vazhdojë të funksionojë”, ka thënë Blinken.

Deklaratat e tij erdhën pasi Izraeli dhe Hezbollahu akuzojnë vazhdimisht njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit, i cili hyri në fuqi të mërkurën e kaluar me shpresën për t'i dhënë fund luftimeve 14 mujore midis ushtrisë izraelite dhe grupit të rezistencës me bazë në Liban.

"Unë mendoj se, në thelb, të dyja palët, domethënë Izraeli dhe Hezbollahu, përmes qeverisë libaneze, donin dhe vazhdojnë të duan armëpushimin. Ne duhet të sigurohemi që ai të respektohet dhe ne jemi të vendosur ta bëjmë këtë”, ka deklaruar Blinken.

"Nëse ka shqetësime se njëra palë ose tjetra po shkel armëpushimin, ajo vjen tek ne dhe në një mënyrë ose në një tjetër, ne angazhojmë palët”, ka shtuar ai.

Sipas kushteve të armëpushimit, Izraeli do të tërheqë forcat e tij në jug të kufirit de facto të Linjës Blu në faza, ndërsa ushtria libaneze do të vendosë forcat e saj në Libanin jugor brenda 60 ditëve.

Që kur marrëveshja e armëpushimit hyri në fuqi më 27 nëntor, Libani ka raportuar mbi 120 shkelje nga forcat izraelite.

Sipas një raporti bazuar në të dhënat e ministrisë libaneze të Shëndetësisë, të paktën 14 persona janë vrarë dhe 13 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite që nga java e kaluar.