Qeveria e Armenisë ka miratuar të enjten një projektligj që kërkon që vendi, dikur pjesë e Bashkimit Sovjetik, të nisë një përpjekje për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian.
Armenia ka thelluar në vitet e fundit lidhjet me Perëndimin në kurriz të marrëdhënieve të saj tradicionalisht të ngushta me Moskën, të cilën e ka akuzuar për dështimin për ta mbrojtur atë nga rivali i vjetër Azerbajxhani, raporton Reuters.
Projektligji u hartua pas një peticioni të suksesshëm.
Në një dokument të parë nga Reuters, qeveria mbështeti prezantimin e projektligjit në parlament, duke thënë se do të përfaqësonte "fillimin e procesit të pranimit të Republikës së Armenisë në Bashkimin Evropian".
Tre ish-anëtarë të tjerë të Bashkimit Sovjetik, Estonia, Letonia dhe Lituania, i janë bashkuar bllokut, një proces negociues shumëvjeçar që kërkon harmonizimin me legjislacionin e BE-së, ndër të tjera.
Kryeministri armen, Nikol Pashinyan, ka thënë të enjten para kabinetit se publiku nuk duhet të presë një pranim të shpejtë dhe se në çdo rast do të kërkonte miratimin me referendum.
Në vitin 2023, Pashinyan i ka thënë Parlamentit Evropian se Armenia është e gatshme të lëvizë sa më afër BE-së.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u ka thënë gazetarëve të enjten se Rusia duhet të kuptojë pozicionin e Brukselit dhe se Armenia nuk mund të bashkohet me BE-në duke mbetur anëtare e Bashkimit Ekonomik Euroaziatik, një bllok tregtar i disa vendeve post-sovjetike.
Megjithëse marrëdhëniet e Armenisë me BE-në janë të mira, anëtarësimi nuk do të jetë i lehtë.
Vendi malor me 2.7 milionë banorë, pa dalje në det, nuk ka kufi me BE-në dhe ka qenë në konflikt me Azerbajxhanin, një furnizues kryesor i gazit në vendet e BE-së, që nga fundi i viteve 1980.
Azerbajxhani në vitin 2023 ndërmori një ofensivë të rrufeshme për të rimarrë kontrollin e Nagorno-Karabakut, një rajon i shkëputur që ishte drejtuar për më shumë se tri dekada nga shumica e tij etnike armene me mbështetjen e Jerevanit.
Këtë javë, presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka thënë se Armenia paraqet një kërcënim "fashist" që duhej shkatërruar dhe nga Jerevani kjo deklaratë është parë si synim për një konflikt të ri.