Botë

Armenia e Azerbajxhani pajtohen, së shpejti marrëveshja e paqes

kufiri

Autoritetet armene kanë njoftuar se kanë rënë dakord që t’ia kthejnë katër fshatra kufitare Azerbajxhanit, që ishte një nga kushtet për nënshkrimin e marrëveshjes së paqes.

Në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit, zëdhënësi Aykhan Kajizade ka thënë se Jerevani i pranoi kushtet e Bakut.

"Armenia ka rënë dakord të kthejë katër fshatra që kanë qenë nën okupim që nga fillimi i viteve 1990”, ka thënë ai.

Ministria e Punëve të Jashtme të Armenisë përmes një komunikate ka thënë se është arritur marrëveshje paraprake gjatë raundit të tetë të negociatave për përcaktimin e kufirit mes dy vendeve.

Marrëveshja përfshin fshatrat Baghanis Ayrum, Asagi Eskipara, Heyrimli dhe Kizilhacili, thuhet në deklaratë.

Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, ka thënë se Jerevani është i gatshëm të bëjë kompromis për të parandaluar një luftë të re. Armenia pritet të marrë kontrollin e 31 fshatrave të tjerë.

Armenia dhe Azerbajxhani kanë pasur luftime të ashpra për shkak të rajonit të Nagorno-Karabakhut.