Gjykata e Apelit e New Yorkut ka rrëzuar vendimin për dënimin e vitit 2020 ndaj producentit amerikan Harvey Weinstein për përdhunim. Apeli vlerësoi se Weinstein nuk pati një gjykim fer.
Gjykata e Apelit ka konstatuar se prokurorët u lejuan të thërrisnin dëshmitarë, akuzat e të cilëve nuk ishin pjesë e rastit kundër tij.
Sipas gjykatës, Weinstein u gjykua edhe për sjelljet e kaluara dhe jo për krimin për të cilin akuzohej, raporton BBC.
Weinstein, 72 vjeç, do të vazhdojë qëndrimin në burg për një dënim tjetër për përdhunim.
Akuzat kundër Weinstein filluan në vitin 2017 dhe nisën edhe lëvizjen #MeToo, e cila ekspozoi abuzimin seksual në nivelet më të larta të industrisë së filmit të Hollywoodit dhe më gjerë.
Ai u përball me dy gjyqe. Në New York, ai u dënua me 23 vjet burgim në vitin 2020 për përdhunimin e dy grave, ndërsa në Kaliforni u dënua vitin e kaluar me 16 vjet burgim për përdhunimin e një gruaje në një hotel në Beverly Hills.
Weinstein aktualisht po qëndron në burg në New York.
I mbetet prokurorit të Qarkut të Manhattanit, Alvin Bragg, paraardhësi i të cilit Cyrus Vance e ngriti çështjen, të vendosë nëse do ta rigjykojë Weinstein.
Avokati i Weinstein, Arthur Aidala, ka thënë për “New York Times” se vendimi ishte një fitore si për klientin e tij ashtu edhe për çdo të pandehur në shtetin e New Yorkut.
Weinstein bashkëthemeloi studion e filmit “Miramax”.“Miramax” paraqiti kërkesën për falimentim në mars të vitit 2018.