Botë

Anulohet rezultati i zgjedhjeve presidenciale në Rumani

Rumania

Gjykata e lartë e Rumanisë ka anuluar rezultatin e raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale të vendit të premten, duke shtuar se i gjithë procesi zgjedhor do të përsëritet.

Raundi i dytë do të mbahej të dielën dhe tashmë po zhvillohet votimi në qendrat e votimit jashtë vendit.

Kandidati prorus, Calin Georgescu - i cili dëshiron t'i japë fund mbështetjes rumune për Ukrainën kundër pushtimit të Rusisë - arriti në një fitore që ngriti pikëpyetje se si në shtetin anëtar të BE-së e NATO-s të fitojë një prorus, raporton Reuters.

Dokumentet e deklasifikuara nga këshilli i lartë i sigurisë i Rumanisë të mërkurën treguan se vendi ishte një objektiv i “sulmeve agresive hibride ruse” gjatë periudhës zgjedhore.

Raundi i dytë i garës presidenciale që do të zhvillohej të dielën do të vinte Georgescun, një kandidat i ekstremit të djathtë, prorus, kundër udhëheqëses së qendrës pro BE-së, Elena Lasconi.

Partitë e ekstremit të djathtë gjithashtu performuan mirë në zgjedhjet parlamentare të së dielës së kaluar në Rumani, megjithëse socialdemokratët në pushtet dolën si grupimi më i madh dhe shpresojnë të krijojnë së bashku një qeveri koalicioni pro BE-së.

Gjykata nuk e ka vënë në dyshim integritetin e votimit parlamentar.

Të enjten, rreth 3.000 njerëz marshuan në Bukuresht duke kërkuar që Rumania të qëndrojë në rrugën e saj proevropiane.