Botë

Anulohen rreth 40 fluturime në Japoni pas zhdukjes së një palë gërshërëve

Aeroporti "New Chitose"

Aeroporti "New Chitose"

Tridhjetë e gjashtë fluturime u anuluan dhe 201 të tjera u vonuan në një aeroport japonez në fundjavë, pasi një palë gërshërë ishin zhdukur në një dyqan pranë portave të hyrjes në aeroplan.

Kontrollet e sigurisë në terminalin e brendshëm të aeroportit “Hokkaido’s New Chitose Airport” u pezulluan për rreth dy orë të shtunën në mëngjes, duke lënë qindra udhëtarë të bllokuar përkohësisht, raporton BBC.

Kishte pengesa të mëdha dhe radhë pasi pasagjerët në sallën e nisjes u detyruan t’u riktheheshin kontrolleve të sigurisë.

Autoritetet u përpoqën të gjenin gërshërët e humbur, të cilat u gjetën në të njëjtin dyqan të nesërmen.

Megjithëse gërshërët nuk u gjetën të shtunën, ditën kur u zhdukën, kontrollet e sigurisë dhe fluturimet rifilluan atë ditë.

Aeroporti ka njoftuar të hënën se gërshërët ishin gjetur nga një punëtor në dyqan të dielën.

Autoritetet shpjeguan se nuk e bënë njoftimin derisa të konfirmonin se gërshërët ishin të njëjta me ato që kishin humbur.

Shumë udhëtarë të prekur nga anulimet dhe vonesat po udhëtonin për në shtëpi pas festës vjetore Bon të Japonisë.