Botë

Anulohen dhjetëra fluturime në Irlandë si pasojë e grevës së trafikut ajror në Francë

France

Tridhjetë e gjashtë fluturime janë anuluar në aeroportin e Dublinit në Irlandë të enjten për shkak të grevës së planifikuar nga kontrollorët e trafikut ajror në Francë.

Për shkak të mosmarrëveshjeve për paga mes sindikatave të kontrollorëve të trafikut ajror dhe punëdhënësit të tyre, autoriteti francez i aviacionit civil DGAC, ka shkaktuar anulim dhe vonesa të shumë fluturimeve në të gjithë Evropën. 

SNCTA, sindikata më e madhe e përfshirë, e anuloi grevën pasi arriti marrëveshje me menaxhmentin për kushtet e punës. Por arritja e marrëveshjes qe shumë e vonë për të shmangur ndërprerjet e udhëtimeve, sepse nuk ishte finalizuar edhe me sindikatat tjera.

Aeroporti i Dublinit bëri të ditur se 23 nisje të planifikuara dhe 13 mbërritje nuk do të zhvillohen atje të enjten, raporton BBC.

Edhe në aeroportin ndërkombëtar të Belfastit në Irlandën Veriore është anuluar një fluturim për në Paris.

Linja ajrore irlandeze Ryan Air ka njoftuar se si pasojë e grevës së planifikuar janë ndikuar më shumë se 300 nga fluturimet e saj nëpër Evropë dhe rreth 50 mijë pasagjerë.