Një anije e marinës ruse e pajisur me gjeneratën e re të raketave hipersonike ka kryer stërvitje në Kanalin Anglez dhe po kryen detyra tjera në Oqeanin Atlantik, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve të martën.
Ekuipazhi i anijes, së pajisur me raketa hipersonike “Zirkon”, ka kryer stërvitje kundër terrorizmit, duke zmbrapsur sulme ajrore dhe detare me dron ndaj një armiku joreal, kanë njoftuar agjencitë shtetërore ruse.
“Anija e Flotës Veriore Admiral Golovko ka përfunduar kalimin përmes Kanalit Anglez dhe aktualisht po vazhdon të kryejë misione në zonat e përcaktuara në Oqeanin Atlantik”, ka shkruar agjencia shtetërore e lajmeve, RIA.
Ky është udhëtimi i parë në distancë të gjatë i anijes ushtarake, që kur është pranuar në marinën ruse në dhjetor të vitit 2023, ka njoftuar agjencia shtetërore e lajmeve, TASS. Anija është larguar nga baza e saj kryesore në veri të Rusisë më 2 nëntor, raporton Reuters.
Pak para se të hynte në mision, ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Sergei Shoigu tha se luftanija do të pajiset me raketa “Zircon”.
Raketat hipersonike “Zircon” kanë rreze prej 900 kilometrash dhe mund të udhëtojnë disa herë më shpejt sesa zëri, duke e bërë të vështirë të mbrohesh prej tyre.
Nën urdhrat e presidentit Vladimir Putin në vitin 2023, Rusia ka filluar furnizimin masiv me raketa “Zircon” si pjesë e përpjekjeve të vendit për ta zhvilluar fuqinë e vet bërthamore.
Së bashku me automjetet hipersonike “Avangard”, të cilat janë futur në mision ushtarak në 2019-n, “Zirconi” është zemra e arsenalit hipersonik të Rusisë.
Rusia i sheh armët si mënyrë për ta depërtuar mbrojtjen raketore gjithnjë e më të sofistikuar të SHBA-së, për të cilat Putini ka paralajmëruar se një ditë mund t’i rrëzojnë raketat bërthamore ruse.