Një gjykatë në Rumani ka hequr masën e arrestit shtëpiak kundër personalitetit të famshëm të internetit, Andrew Tate, duke e zëvendësuar me një masë më të lehtë, në pritje të përfundimit të hetimit penal, ka njoftuar përfaqësuesi i Tateit të martën.
Tate ka qenë në arrest shtëpiak që nga gushti kur prokurorët filluan hetimin e dytë ndaj tij, vëllait të tij Tristan dhe katër të dyshuarve të tjerë. Ata akuzohen për formimin e një grupi kriminal, trafikimin e njerëzve, trafikimin e të miturve, marrëdhënie seksuale me të mitur dhe pastrim parash.
Ata i kanë mohuar akuzat.
Rasti i parë penal kundër Tateit dështoi në dhjetor kur Gjykata e Apelit në Bukuresht vendosi të mos e gjykojë Tatein, por të dërgojë çështjen përsëri tek prokurorët. Vendimi, i cili citoi gabime në aktakuzë, pati ndikim të madh në prokurorët e krimit të organizuar në Rumani.
Të martën, gjyqtarët hoqën masën e arrestit shtëpiak si pjesë e hetimit të dytë.
Nën masat më të lehta parandaluese, Tate është i detyruar të paraqitet në polici në intervale të rregullta kohore dhe i ndalohet kontakti me të dyshuarit ose dëshmitarët në çështjen e tij. Ai nuk mund të dalë jashtë Rumanisë.
Tate u bë personazh i famshëm televiziv për shkak të disa qëndrimeve kontroverse të shprehura në internet.