Sipas një sondazhi të publikuar të hënën, Zemmour është njëri prej kandidatëve të rrallë që ka përkrahje nga të djathtët dhe të djathtët ekstrem – pikë të cilën e ka përmendur edhe në intervistën me prestigjiozen “New York Times”. Për partinë e Le Pen ka thënë se “ka lënë jashtë borgjezët francezë, ndërkaq për republikanët ka thënë se ka përbërje të moshuar që nuk di si të lidhet me të rinjtë dhe klasën punëtore”
Sezoni i zgjedhjeve në Francë ka nisur me gjithë forcën këtë javë. Kandidatët për president kanë prezantuar ofertat ose kanë mbajtur tubime si ato të fushatave. Mirëpo personi që mori vëmendjen e madhe mediatike nuk është kandidat, as politikan, por shkrimtar i krahut të djathtë dhe yll televiziv që i ngjan Donald Trumpit.
Éric Zemmour u bë njëri prej personaliteteve kryesore televizive me komentimet e tij në CNews, një kanal i ngjashëm me Fox Newsin amerikan, ani pse u dënua dy herë për nxitje të urrejtjes racore. Këtë javë dominoi në krejt mediat në nisjen e fushatës për zgjedhjet e prillit të vitit 2022.
Sondazhi i publikuar të mërkurën shfaqte shenja të ngritjes së tij në mesin e votuesve, duke rrëzuar edhe kandidatët e deklaruar siç është kryebashkiakja e Parisit. Ani pse paraqitja e tij duket se është jashtë mundësive të presidencës, mund të prishë skenarin e shumëpritur të duelit mes presidentit Emmanuel Macron dhe shefes së të djathtës ekstreme, Marine le Pen.
Në shkëndijat fort të orkestruara që paraqisnin vijat e ashpra mes medias dhe politikës, Zemmouri 63-vjeçar, një prej shkrimtarëve bestseller në Francë, të enjten ka publikuar librin e titulluar: “Franca ende nuk e ka thënë fjalën e saj të fundit”, me ballinën që e shfaq atë me krahë të kryqëzuar para flamurit francez.
Në një bisedë të shkurtër telefonike me gazetën amerikane “The New York Times”, Zemmour thotë se ballina e librit është dizajnuar pas librit të Trumpit “Great Again”, në vitin 2015. Me këtë libër ai prezantoi agjendën e tij politike para fitores në zgjedhjet e vitit 2016. Edhe në këtë libër, Trumpi ishte para flamurit amerikan.
Ama ballina, thotë Zemmour, nuk është gjëja e vetme për të cilën është frymëzuar nga Trumpi. Teksa i shmangte thashethemet e gjata për kandidaturën e tij të mundshme, gjatë muajit shtator ka dhënë sinjale të fuqishme se mund të ndjekë hapat e Trumpit për kalim nga televizioni në politikë.
“Natyrisht se kemi të përbashkëta”, thotë Zemmour. “Me fjalë të tjera, dikush që është krejt jashtë sistemit partiak, i cili kurrë nuk ka pasur karrierë politike, por dikush që e kupton se shqetësimet kryesore të klasës punëtore janë imigracioni dhe tregtia”, shton ai.
Politikë e paparashikueshme

Në zgjedhjet me dy raunde në Francë, dy më të votuarit e të parit ballafaqohen në balotazh. Macroni ka provuar në mënyrë agresive kundër së djathtës tradicionale dhe më të moderuar, në një strategji që do të çonte në përballje përfundimtare ndaj Le Pen, të cilën e mposhti në vitin 2017. Mirëpo prezenca e Zemmourit, shkruan “NYT”, me paraqitjet e tij në krahun e djathtë të spektrit politik mund t’i rrëzojë të gjitha llogaritjet.
“Politika franceze është bërë totalisht e paparashikueshme”, thotë Nicolas Lebourg, politikolog i specializuar për të djathtën dhe të djathtën ekstreme. “Në një kontekst shumë fluid, gjërat mund të përfundonin me zgjedhjen e një presidenti republikan, pasi Macroni do të mposhtej, sepse Zemmouri ka marrë pak poenë”, shton ai, duke iu referuar republikanëve, parti tradicionale e krahut të djathtë.
Sondazhi i publikuar të mërkurën tregonte se dhjetë për qind e votuesve përkrahin Zemmourin në raundin e parë të zgjedhjeve. 7 për qind kishte në fillim të javës, ndërkaq 5 për qind në muajin korrik. Ai është prej kandidatëve të vetëm me dyshifrorë në sondazhe, duke lënë jashtë garës disa prej kandidatëve të rryer në politikën franceze, përfshirë kryebashkiaken socialiste të Parisit, Anne Hidalgo.
Sipas një sondazhi tjetër të publikuar të hënën, Zemmour është njëri prej kandidatëve të rrallë që ka përkrahje nga të djathtët dhe të djathtët ekstrem – pikë të cilën e ka përmendur edhe në intervistën me prestigjiozen “New York Times”. Për partinë e Le Pen ka thënë se “ka lënë jashtë borgjezët francezë, ndërkaq për republikanët ka thënë se ka përbërje të moshuar që nuk di si të lidhet me të rinjtë dhe klasën punëtore”.
Sondazhi gjithashtu ka treguar se ka përkrahje të fuqishme nga klasa punëtore, burrat dhe të rinjtë.
“Bisedat e tij direkte tërheqin gjeneratën e re, që është e zhgënjyer me gënjeshtrat e politikanëve dhe mosbesimi në media”, thotë François de Voyer, moderator dhe përkrahës financiar i “Black Book”, kanal në YouTube që ka realizuar intervista me Zemmourin dhe personalitete të tjera, kryesisht nga e djathta dhe e djathta ekstreme. Thotë se Zemour jep përshtypjen se “kurrë nuk e fsheh atë që mendon, edhe nëse janë qëndrime kundërthënëse. Mendoj se kjo ka efekt në krijimin e një besimi”.
Qëndrime kundërthënëse
Megjithëkëtë, gara e Zemmourit – qëndrimet e tij të ashpra ndaj imigracionit, fesë islame në Francë dhe identitetin kombëtare – të ngjashme me ato të Le Pen – do t’u jepnin një shtytje zgjedhjeve në disa prej temave më të ndjeshme në shoqërinë fort të polarizuar franceze.
Gazetar i kamotshëm i së përditshmes konservatore “Le Figaro”, Zemmour u bë autori bestseller në dekadën e fundit me librat që flasin për rënien e Francës, nën kërcënimin e fesë islame që nuk përmban vlerat bazë të Francës. Fama dhe ndikimi i tij kanë arritur në nivel më të lartë kur u bë yll i CNews gjatë vitit 2019. Në pikun e çdo mbrëmjeje, ai shtjellonte idetë e tij për mijëra shikues.
E ka portretizuar veten si lajmëtar i së vërtetës në një medium të dominuar nga gazetarët politikisht korrektë dhe që anojnë kah krahu i majtë. Është shprehur kundër migrimit të afrikanëve mysliman, duke nxitur kërcënimin ekzistues të zëvendësimit të madh – një term të cilin edhe Le Pen e ka shmangur – që do të lërë prapa popullsinë e racës së bardhë dhe të krishterë në Francë.
Gjatë fundjavës që iku, Zemmour ka thënë se po të ishte president, do të ndalonte emrat jofrancezë, si Mohammed dhe Kevin, sepse do të krijonin pengesa në një proces asimilimi që është përdorur për të kthyer emigrantët në atë që i cilëson francezë të vërtetë.
Këto komente kanë tërhequr vëmendjen e autoriteteve franceze. Në muajin maj, rregullatori i mediave dënoi CNews me 200 mijë euro gjobë për nxitje të urrejtjes racore. Në emisionin e tij të shtatorit 2020, Zemmour ka thënë se të miturit e huaj të pashoqëruar duhet të dëbohen nga Franca. I ka quajtur “hajdutë”, “vrasës” dhe “përdhunues”.
Përkrahje mes të rinjve
Disa kandidatë presidencialë nga republikanët nuk janë të bindur për kandidaturën e Zemmourit. Xavier Bertrand, lider i rajonit në veri të Francës, thotë se Zemmour është përçarës i madh. Valérie Pécresse, kryerepublikan në rajonin e Parisit, thotë se prezantuesi televiziv nuk ka bërë propozime kushedi çka.
Lebourg politikolog thotë se “nacionalizmi etnik” i Zemmourit ka rrënjë në ideologjinë e Frontit Nacional në vitet ’90, paraardhës i “National Rally”, që ishte prirë nga babai i Le Pen, Jean-Marie Le Pen. Më shumë se çdokush tjetër, Zemmour i ka prirë vendosjes së vizionit të tij ndal politikanëve në krahun e djathtë, thotë Lebourg.
Përkrahësit thonë se kjo është arsyeja që Zemmour është kandidati i vetëm që i ka të dyja, të djathtën dhe të djathtën ekstreme.
“Zemmour ka hapur sytë e një numri njerëzish, përfshirë familjen time politike”, thotë Antoine Diers, zëdhënës i “Friends of Eric Zemmour”, grup që është duke siguruar fonde për kandidaturën e mundshme të tij. Diers gjithashtu është anëtar i partisë republikane. Falë ndikimit të Zemmourit, Diers thotë se kandidatët e partisë “më në fund kanë një qëndrim për imigracionin dhe çështjet e identitetit dhe kulturës franceze”.
Arno Humbert, një tjetër anëtar i grupit për Zemmourin, thotë se braktisi partinë e Le Penit në muajin qershor, pas më shumë se një dekade, i zhgënjyer me punën e saj.
Zemmour u detyrua të ndërpriste transmetimin të hënën pasi rregullatori i mediave e urdhëroi të kufizonte kohën e emisionit, sepse po cilësohet si lojtar në politikën kombëtare. Ai dhe përkrahësit e tij menjëherë e kanë cilësuar si censurë këtë vendim.
I pyetur nëse vendimi do t’i ndihmonte të forconte edhe më shumë imazhin e tij si lajmëtar i së vërtetës në mesin e përkrahësve, ai thotë “natyrisht”.
“Ishte një bekim i fshehur”, thotë Zemmour.
Përgatiti: Gent Mehmeti