Amsterdami ka ndaluar protestat për tri ditë pasi tifozët izraelitë të futbollit u rrahën në përplasje të dhunshme të enjten gjatë natës.
Policia holandeze ka thënë se ka nisur hetim të madh mbi disa incidente pas ndeshjes së futbollit mes Maccabi Tel Aviv dhe Ajaxit.
Kryetarja e Amsterdamit, Femke Halsema, ka thënë se kriminelët kanë kërkuar nëpër qytet për mbështetësit e Maccabit për t’i sulmuar. “Ky është një moment i tmerrshëm për qytetin tonë... Jam e turpëruar për sjelljen e treguar mbrëmë”, ka thënë ajo.
Autoritetet kanë njoftuar se pesë tifozët e lënduar janë liruar nga spitali, dhe se 20-30 të tjerë ishin lënduar lehtë. 63 persona u arrestuan dhe 10 prej tyre janë në mbajtje.
Amsterdami ka futur në fuqi një sërë masash sigurie pas dhunës. Ndalimi i protestave hyri në fuqi të premten dhe do të jetë deri të dielën. Po ashtu do të ketë prezencë të shtuar të policisë.
Gjithashtu është ndaluar veshja që mbulon fytyrën dhe mbajtja e pajisjeve që çon në prishje të rendit.
Tensionet janë ngritur pas ndeshjes së futbollit të enjten me video nëpër rrjete sociale që kanë treguar tifozët e Maccabit duke ofenduar arabët dhe duke i lavdëruar sulmet e ushtrisë izraelite në Gaza. Video të tjera treguan një burrë që shqyente flamurin palestinez, raportoi CNN.