Botë

Amerikani i burgosur në Rusi, Paul Whelan, ndihet i braktisur nga SHBA-ja

Pesë vjet më parë, Paul Whelan, udhëtoi në Moskë për një pushim dyjavor. Pushimi i përfundoi në kamp pune në Rusi. Amerikani po pritet të kalojë edhe një Krishtlindje në paraburgim, disa dhjetëra e mijëra kilometra nga shtëpia e tij, raporton “BBC”.

Qeveria e SHBA-së thotë se ai është arrestuar gabimisht dhe po akuzohet për spiunazh.

Në një intervistë të rrallë për “BBC” nëpërmjet telefonit nga burgu, Paul Whelan, ka thënë se ndihet “i braktisur” nga vendi i tij, e cila aranzhoi dy shkëmbime të burgosurve me Rusinë vitin e kaluar.

Ai e ka quajtur vendimin për ta lënë atë prapa si “tradhti serioze”.

Image

Mbledhja e pengjeve

Komentet e Whelanit erdhën ndërsa gazetari amerikan Evan Gershkovich po përgatitej për të kaluar Vitin e Ri prapa grilave me të njëjtën aktakuzë.

Gazeta e tij, Wall Street Journal e po ashtu Qeveria amerikane, janë të qarta se rasti i Rusisë kundër tij është i rremë. Si korrespondent i akredituar, Gershkovich u arrestua në mars ndërsa ishte duke bërë punën e tij.

Një tjetër gazetare, amerikano-rusja Alsu Kurmasheva, u arrestua në tetor pasi udhëtoi për të parë familjen. Ajo përballet deri me 15 vjet burgim, me akuza për përfshirje “në përhapje të lajmeve të rreme” për ushtrinë ruse.

Kremlini duket se po mbledh pengje.

Paul Whelan ka qenë dukshëm më së gjati i mbyllur nga të gjithë.

Një zëdhënës i Qeverisë amerikane tregoi se kanë bërë “propozime të shumta” për rusët dhe po “diskutojnë vazhdimisht” me aleatët rastin e Whelanit.

“Asnjë javë nuk kalon pa aktivitet intensiv”, thuhet në deklaratë.

Por, gjatë gjithë viteve sa kemi biseduar me Whelanin, ai asnjëherë nuk ka tingëlluar më pesimist se tash.

I braktisur

“E di se SHBA-ja ka gjitha llojet e propozimeve, por nuk është ajo që duan rusët. Kështu që vazhdojnë lojërat, sikur të gjuash shpageta në mur e të shohësh se cila ngjitet. Problemi është, jeta ime po tretet ndërsa e bëjnë këtë. Kam pesë vjet këtu!” – ka thënë Whelan.

Pas gjykimit të tij, Whelan tregon se Rusia donte ta rikthente atë në shtëpi në këmbim të dilerit të armëve Viktor Bout, që po mbahej në SHBA. Por, Donald Trump kishte qenë atëbotë president i SHBA-së.

“Ai vazhdonte të thoshte: jo”, tregon Whelan.

Dy vjet më vonë Bout u shkëmbye me yllin amerikan të basketbollit Brittney Griner, që ishte deklaruar fajtore se kishte pasur në posedim vaj kanabisi.

Paul Whelan u la prapa.

“Është shumë stresuese kur e di se kam mundur të jem në shtëpi disa vjet më parë. Është shumë stresuese kur e di se ata kanë bërë këto gabime. Ata më braktisën këtu”, tha Whelan.

Whelan ka edhe pasaportë britanike, irlandeze dhe kanadeze. Ambasadorët e të katër shteteve e kanë vizituar atë.

“Ne po ofrojmë ndihmë konsullore për një shtetas britanik”, ishte përgjigja e Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe.

Është përgjigja e njëjtë si ajo që bëri para pesë vjetëve.

Image

Storia e Evanit

Departamenti Amerikan i Shtetit nuk jep detaje për negociata të ndjeshme.

Por, zëdhënësi i Qeverisë së SHBA-së, ka thënë se Sekretari Amerikan i shtetit, Antony Blinken, është “personalisht i përkushtuar” që të sigurojë lirimin e Whelanit.

Ka thënë se Rusia ka refuzuar “disa oferta të mëdha”, por se SHBA-ja “nuk do t’i ndalë angazhimet” për t’i rikthyer qytetarët e saj në shtëpi.

Nuk është vetëm Whelani që mbahet në Rusi.

Kur Evan Gershkovich u arrestua në mars, ishte hera e parë, që nga Lufta e Ftohët, që një korrespodent perëndimor u akuzua për spiunazh në Moskë.

“Evani nuk është spiun, ai është gazetar”, thotë Polina Ivanova, një korrespodente nga Moska e “Financial Times” dhe po ashtu shoqe e Evanit.

Të dy nisën të raportonin nga Moska në të njëjtën kohë. Tash Evani është prapa grilave, ndërsa Polina, sikur shumica e korrespodentëve nga Rusia, punojnë nga jashtë vendit për shkaqe sigurie.

Ajo e përshkruan si të “tmerrshme” mbrëmjen kur Evani humbi kontaktin me gazetën e tij, ndërsa po përgatiste një storie. Ai u rishfaq si i burgosur, i akuzuar për spiunazh.

“Kur kjo i ndodh një miku, atëherë bota të shembet. Është një akuzë e tmerrshme”, thotë Polina.

Polina dhe shokët e tjerë kaluan me orë çdo javë për të rregulluar letrat e dërguara nga jashtë. Ata i përkthyen në gjuhën ruse në mënyrë që t’i kalonin sensorët në burgun e Moskës, ku Evani po mbahet nga FSB-ja.

Ata përkthyen tekste të revistave e po ashtu novela. Polina aktualisht gjendet në Berlin. Po mundohet ta motivojë shokun e tij.

Para arrestimit, Evan raportoi për shkëmbimin e fundit të burgosurve mes SHBA-së dhe Rusisë, atë mes basketbollistes Britney Griner dhe dilerit të armëve Viktor Bout. Para kësaj, ish-marinsi amerikan Trevor Reed ishte shkëmbyer me një trafikues rus të drogës.

Kështu që gazetari e di se si funksionon kjo. Por, ai e di edhe çmimin e lartë që Rusia kërkon për çdo marrëveshje.

Dhe kushtet po bëhen vazhdimisht më të vështira.

Paul Whelan thotë se Moska tash kërkon një vrasës të FSB-së, që është dënuar nga Gjermania, të kthehet në shtëpi si pjesë e marrëveshjes për lirimin e tij.

Kur Vadim Krasikov u gjykua në Berlin, gjykatësi e quajti vrasjen që ai kreu në parkun qendror të qytetit – në pikë të ditës – si “akt terrori”. Ai u dënua me burgim të përjetshëm.

Nëse Moska është serioze në këtë, atëherë SHBA-ja duhet ta tërheqë Gjermaninë në këto negociata.

Politikani gjerman Roderich Kiesewetter ka thënë se Washingtoni ka një ndikim të madh te Berlini, pasi Gjermania është “shumë e varur” nga inteligjenca amerikane.

Kiesewetter, që është anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman, është kundër çdo marrëveshjeje.

“Ne s’mund të lejojmë që t’i japim Rusisë sinjal se ata mund të kryejnë krime në vende tjera dhe më pas, pas një ndërprerje diplomatike disavjeçare, të kthejnë vrasësit e tyre”, tha Kiesewetter.

Javën e kaluar, Vladimir Putin, ka thënë se çdo marrëveshje që Rusia ka bërë për t’i liruar amerikanët ka “qenë e pranueshme për të dyja palët”. SHBA-ja është dashur të marrë “vendime të përshtatshme”, thotë ai.

Ky mund të jetë sinjal që negociatat mund të intensifikohen, apo edhe jo.

“Nuk e kam idenë se çfarë mendon Kremlini, vetëm e di se shoku im më i mirë gjendet në burg, dhe s’duhet të jetë atje. Ai duhet të jetë në shtëpi dhe të jetë duke punuar”, ka deklaruar Polina Ivanova.

Paul Whelan po ashtu nuk është shumë optimist.

Ai kalon ditët duke qepur veshje pune dhe po ashtu kapela në një fabrikë të burgut. Thotë se ka myk të zi në muret e burgut ku gjendet. Në ditën që folëm, temperaturat ishin -15 gradë Celsius, ndërsa ai tregoi se nuk kishte ngrohje.

Ai thotë se jeta e tij “është shkatërruar” që nga arrestimi. Ka humbur lirinë, punën e tij, dhe shtëpinë. E së fundi ishte sulmuar nga një i burgosur tjetër.

Qeveria e SHBA-së thotë se ai “nuk është i harruar”. Por, frika më e madhe e Whelanit është se do të ndodhë një shkëmbim tjetër, ku ai nuk do të jetë i përfshirë.

“Jam shumë i shqetësuar. Me çdo rast, rasti im po shkon prapa në renditje. Më kanë lënë disi prapa. Është shumë shqetësuese”, thotë Whelan.

Ishte Rusia që e futi në burg. Por, Paul Whelan thotë se SHBA-ja duhet të angazhohet më tepër, që ta sjellë atë në shtëpi.

“Gjitha premtimet që kanë bërë kanë qenë boshe”, thotë Whelan.