Botë

Shtëpia e Bardhë do t’u japë influencuesve qasje në konferencat për shtyp

Karoline Leavitt

Karoline Leavitt

Foto: Associated Press

E përditësuar (19:38) - Sekretarja për Shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, të martën paralajmëroi disa ndryshime që pritet të bëhen në dhomën e konferencës për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, duke përfshirë zgjerimin e lejeve të pjesëmarrjes për personalitetet e "medias së re".

Në konferencën e parë për shtyp të martën, Leavitt është pyetur se çfarë hapash do të ndërmarrë Shtëpia e Bardhë për të zgjeruar llojet e mediave të lajmeve që lejohen të marrin pjesë në konferenca.

"Është fakt që amerikanët po konsumojnë lajmet nga një sërë platformash të ndryshme”, ka thënë ajo, duke shtuar se si sekretarja më e re e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, ajo është e vetëdijshme se kjo është veçanërisht e vërtetë për të rinjtë amerikanë.

"Kushdo në këtë vend, pavarësisht nëse jeni krijues i përmbajtjes së TikTok, bloger, podkaster, nëse prodhoni një përmbajtje legjitime të lajmeve, do t'ju lejohet të aplikoni për kredencialet e shtypit për këtë Shtëpi të Bardhë," thotë ajo.

Leavitt po ashtu ka folur lidhur me vendimin e presidentit Trump për ndalimin e granteve dhe huave federale, duke thënë se kjo nuk do të ndikojë nw ndihmën direkte për individët. 

Ajo ka thënë se Trumpi dëshiron të jetë një "kujdestar i mirë" i parave të taksapaguesve dhe të sigurojë që paratë "të mos jenë në kundërshtim" me veprimet ekzekutive që ai po ndërmerr, raporton BBC.

“Prandaj nuk do të ketë më financime për programet e paligjshme DEI", ka thënë ajo, duke përmendur gjithashtu "transgjinorizmin".

Programet DEI (Diversiteti, Barazia dhe Përfshirja) synojnë të promovojnë pjesëmarrjen në vendet e punës nga njerëz nga një sërë prejardhjesh. Mbështetësit e tyre thonë se trajtojnë diskriminimin historik ose të vazhdueshëm dhe nënpërfaqësimin e grupeve të caktuara, duke përfshirë pakicat racore, por kritikët argumentojnë se programe të tilla mund të jenë vetë diskriminuese.


Amerika s’do ta lejojë më imigracionin e paligjshëm, thotë sekretarja për shtyp e Trumpit

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka thënë të martën në konferencën e parë për media se presidenti Donald Trump po përdor "çdo levë të pushtetit të tij" për të miratuar ndryshime gjithëpërfshirëse të imigracionit.

Leavitt ka deklaruar se Amerika po i dërgon mesazh gjithë botës se nuk do ta tolerojë më imigracionin e paligjshëm.

“Presidenti Trump është kthyer dhe epoka e artë e Amerikës ka filluar përfundimisht. Duke përdorur çdo levë të fuqisë së tij federale, presidenti Trump i ka dërguar një mesazh me zë të lartë dhe të qartë të gjithë botës: Amerika nuk do të tolerojë më imigracionin e paligjshëm”, është shprehur ajo.