Botë

Ambasadori iranian takohet me Muskun në përpjekje të uljes së tensioneve me Trumpin

Musk

Foto: Associated Press

Irani ka arritur ta sigurojë një takim me Elon Muskun pas disa përpjekjesh për të lehtësuar tensionet me presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, sipas një zyrtari amerikan.

Ambasadori i Iranit në OKB, Amir Saeid Iravani, ka takuar Muskun në New York. Trump i ka dhënë një pozitë këtij të fundit, duke e bërë udhëheqës të Departamentit për Efiçiencë Qeveritare, raportoi AP. 

Zyrtari amerikan ka thënë se takimi mbuloi disa tema, veçanërisht programin bërthamor të Iranit, mbështetjen për grupet anti-Izrael në Lindjen e Mesme dhe perspektivat për përmirësimin e marrëdhënieve me SHBA-në.

Por, siç ka thënë ai, nuk ka pasur ndonjë vendim prej ndonjërës palë që ka dalë nga takimi. Zyrtari ka shtuar se iranianët kërkuan takimin me Muskun. Megjithatë, ekipi i Trumpi nuk e ka konfirmuar e as mohuar këtë takim zyrtarisht.

Zyrtarët e inteligjencës kanë thënë se Irani ka qenë kundër një mandati të dytë të Trumpit, pasi ai është parë si akter për rritjen e tensioneve mes Washingtonit dhe Teheranit. Administrata Trump i pati dhënë fund marrëveshjes bërthamore me Iranin, i pati rivendosur sanksione dhe pati urdhëruar vrasjen e gjeneralit iranian, Qassem Soleimani.