Botë

Alarmohet Trumpi, hakerët kinezë mund t’i kenë vjedhur të dhëna nga telefoni

Trump & JD Vance

Trump & JD Vance

Hakerët kinezë besohet se kanë sulmuar telefonat e përdorur nga kandidati republikan për president në Shtetet e Bashkuara (SHBA), Donald Trump dhe kandidati për zëvendëspresident, JD Vance, ka raportuar “New York Times” të premten.

Hetuesit po punojnë për të përcaktuar nëse hakerët kinezë kanë marrë të dhëna dhe nëse po, çka. Rasti është përshkruar “shumë i ndjeshëm për sigurinë kombëtare”.

Të dhënat në një telefon të përdorur nga kandidati presidencial apo nga ai për zëvendëspresident mund të jenë minierë ari për një agjenci inteligjence: kujt i telefonuan dhe i dërguan mesazhe, sa shpesh komunikonin me njerëz të caktuar dhe sa kohë flisnin me ata njerëz – të dhëna që mund të ishin shumë të vlefshme për një kundërshtar si Kina.

Ekipi i Trumpit u informua këtë javë se ish-presidenti dhe JD Vance ishin në mesin e njerëzve brenda dhe jashtë administratës, numrat e telefonit të të cilëve ishin shënjestruar përmes infiltrimit të sistemeve telefonike në kompaninë amerikane të telekomunikacionit, Verizon.

Është e paqartë nëse hakerët kanë pasur qasje në mesazhet me tekst, veçanërisht ato të dërguara përmes kanaleve të pakriptuara.

Siç raporton NYT, të dhënat në komunikimet e një kandidati presidencial dhe atij për zëvendëspresident – edhe nëse nuk përmbajnë ndonjë informacione të vlefshëm – mund të ndihmojnë një kundërshtar si Kina të identifikojë njerëzit e rrethit të brendshëm të Trumpit e më pas t’i shfrytëzojë për ndonjë operacion.

Zbulimi erdhi në prag të mbylljes së fushatës në të cilën Trumpi ka qenë në shënjestër të vazhdueshme edhe nga hakerët iranianë – të cilët në mënyrë të përsëritur janë munduar të marrin të dhëna nga komunikimet dhe dokumentet e fushatës së tij.

Siguria rreth Trumpit është forcuar si rezultat i kërcënimeve me vrasje nga Irani.

Zëdhënësi i ekipit të Trumpit, Steven Cheung, nuk pranoi direkt nëse telefonat e Trumpit dhe Vances janë hakeruar, por kritikoi Shtëpinë e Bardhë dhe kandidaten demokrate Kamala Harris që lejoi një kundërshtar si Kina të ndikojë në fushatë.

Në fillim të këtij viti, zyrtarët e sigurisë zbuluan praninë e një grupi hakerësh të lidhur me Kinën të quajtur “Salt Typhoon” në sistemet amerikane të telekomunikacionit. Por hetuesit përcaktuan vetëm kohët e fundit se hakerët shënjestruan edhe numra të veçantë telefoni.

Por puna e hakerëve shtrihet përtej fushatës pasi janë shënjestruar edhe shumë zyrtarë të tjerë e që një gjë e tillë, siç shkruan NYT, mund të paraqesë implikime të mëdha të sigurisë kombëtare.

Hetimi për shkallën e sulmit dhe çdo dëmtim të sigurisë kombëtare është në fazat e hershme. Është e vështirë të dihet nëse një sulm i tillë mund të monitorojë ose regjistrojë biseda telefonike, dhe nëse hakerët mund të lexojnë ose përgjojnë tekste.

“Wall Street Journal” raportoi muajin e kaluar se një sulm kibernetik i lidhur me qeverinë kineze ishte infiltruar në disa rrjete të telekomunikacionit në Amerikë.