Zyrtarët e Izraelit janë shumë të shqetësuar se Gjykata Penale e Kombeve të Bashkuara po planifikon të lëshojë urdhërarreste për liderët e tij ushtarakë e politikë nën dyshimin për krime lufte, raporton “BBC”.
Raportimet sugjerojnë se kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, mund të gjendet në mesin e personave që mund të jenë në këtë listë.
Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) është duke hetuar veprimet e Izraelit në territoret e okupuara në tri vjetët e fundit dhe veprimet e fundit të Hamasit po ashtu. Ka fuqi që të ngrejë padi dhe gjykojë personat për krimet më serioze sipas të drejtës ndërkombëtare.
Më herët ka lëshuar urdhëarreste për liderët si presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, ish-diktatorin e Libisë, Muammar Gaddafi dhe Joseph Konyn e Ugandës.
Netanyahu e ka quajtur mundësinë që zyrtarë të lartë izraelitë t’i bashkohen listës së të kërkuarave si “një fyerje me përmasa historike” dhe ka akuzuar Gjykatën Ndërkombëtare Penale se po përpiqet ta paralizojë aftësinë e Izraelit për ta mbrojtur veten.
Por, fakti se ai ka zgjedhur për të bërë komente publike aq të ashpra sugjeron se një skenar i tillë po diskutohet në mënyrë aktive.
Ndërsa GJNP-ja nuk i ka konfirmuar pretendimet izraelite, kur kryeprokurori Karim Khan KC vizitoi Izraelin dhe Bregun Perëndimor të pushtuar në dhjetorin e kaluar mesazhet e tij ishin të qarta.
Britaniku vizitoi vendet e sulmeve të Hamasit në fshatrat izraelite afër Gazës, ku militantë të Hamasit u futën e kryen sulm më 7 tetor.
Ai po ashtu takoi liderët politikë dhe udhëtoi në Ramallah për të biseduar me familjet e viktimave palestineze për përvojat e tyre në Gaza dhe Bregun Perëndimor. Ai dënoi dhunën e përjetuar nga civilët e të dyja palëve dhe premtoi se do të hetojë.
“Gjithë akterët duhet të sillen sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare. Nëse nuk e bëjnë këtë, atëherë mos u ankoni kur zyrës sime i kërkohet të veprojë”, ai e qartësoi në një deklaratë.
Në sulmin e Hamasit në Izrael u vranë rreth 1200 persona dhe u morën rreth 250 pengje.
Në sulmin e Izraelit në Gaza që nga atëherë u vranë afro 34 mijë persona, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës.