Hersh u kap në sulmin e Hamasit në festivalin e muzikës Supernova. Për herë të fundit 23-vjeçari u pa në një video të Hamasit. Sipas pamjeve, ai ishte duke hipur në një kamionçinë, i rrethuar nga persona të armatosur. Krahu i majtë dukej të jetë këputur nga shpërthimet.
Rachel Goldberg-Polin tani jeton sipas një kalendari të ri - jo javë apo muaj, por ditë mungese dhe ankthi.
Çdo mëngjes kur zgjohet ajo shkruan një numër në një copë shiriti dhe e vë në rrobat e saj. Është numri i ditëve qëkur djali i saj Hersh u mor peng nga Hamasi.
Në mëngjesin e 7 tetorit ajo ndezi telefonin e saj dhe gjeti dy mesazhe nga Hersh. I pari thoshte: “Të dua”. I dyti i dërguar menjëherë më pas lexonte: “Më fal!”. Ajo thirri - por pa përgjigje.
“Vazhdonte të cingëronte”, thotë ajo.
“I shkrova: ‘A je mirë? Më thuaj që je mirë’. Asnjë nga ato mesazhe nuk u lexua kurrë. M’u shtrëngua fyti e kisha dhimbje barku. Thjesht e dija se diçka e tmerrshme po ndodhte. Edhe ai e dinte”.
Hersh u kap në sulmin e Hamasit në festivalin e muzikës Supernova.
Për herë të fundit 23-vjeçari u pa në një video të Hamasit. Sipas pamjeve, ai ishte duke hipur në një kamionçinë, i rrethuar nga persona të armatosur. Krahu i majtë dukej të jetë këputur nga shpërthimet.
Sulmet e Hamasit vranë rreth 1200 izraelitë, shumica prej tyre civilë. Që atëherë Izraeli ka bombarduar Gazën pa pushim, duke vrarë më shumë se 31 mijë njerëz sipas zyrtarëve në territorin e drejtuar nga Hamasi. 70% e të vdekurve atje janë gra dhe fëmijë.
Ndërsa lufta është ndezur në Gaza, beteja e Rachelës është të sjellë në shtëpi djalin e saj dhe pengjet e tjera.
Fokusi po humbet
Hersh është në mesin e 130 pengjeve të cilët u morën nga Hamasi më 7 tetor e që kanë mbetur ende në Gaza. Izraeli beson se të paktën 30 prej tyre janë tashmë të vdekur.
“Çdo mëngjes përpiqem dhe i them vetes: ‘tani, pretendo se je njeri që mund të ngrihesh dhe të përpiqesh të shpëtosh Hershin dhe pengjet e tjera të mbetura’”, thotë ajo. “Ajo që dua të bëj është të shtrihem në dysheme dhe të qaj, por kjo nuk do t’i ndihmojë ata”.
Rachel - nënë e tre fëmijëve - është e dobët dhe e vogël, por ajo është energjike. Ajo punon në kuadër të një kompanie. Por, ajo nuk është kthyer në punë që nga dita e sulmeve. As burri i saj, Jon.
Por pesë muaj më vonë fokusi te pengjet po zbehet - brenda dhe jashtë vendit. Të afërmit duhet të luftojnë fort për t’i mbajtur ata në sy të publikut.
Pyete për Hershin e saj dhe një buzëqeshje ndriçon fytyrën e saj. “Kjo është tema ime e preferuar - fëmijët e mi”, thotë ajo. “Hersh është një tifoz futbolli i lumtur dhe i qetë. Ai është i dhënë pas festivaleve muzikore dhe ka qenë i fiksuar pas gjeografisë dhe udhëtimeve qëkur ka qenë djalë i vogël”.
Djali i saj i cili kishte nënshtetësi izraelito-amerikane do të nisej për një udhëtim rreth botës që zgjat një ose dy vjet. Bileta e tij ishte blerë tashmë. Data e nisjes ishte 27 dhjetor.
U rriten shpresat për një marrëveshje për t’i rikthyer pengjet përpara muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit - në këmbim të një armëpushimi prej rreth 40 ditësh dhe lirimit të të burgosurve palestinezë. Ka ardhur një Ramazan i zymtë, pa përparim. Por bisedimet për një marrëveshje të mundshme do të rifillojnë në Doha.
Rachel thotë se ajo është gjithmonë e shqetësuar, e frikësuar dhe dyshuese. Por shpresa, thotë ajo, “është e detyrueshme”.
“Unë e besoj dhe duhet ta besoj, se ai do të kthehet te ne”.
Në mes të mundimit të saj ajo mendon edhe për dhimbjen e familjeve në Gaza.
Ajo thotë se agonia duhet të marrë fund dhe jo vetëm për izraelitët.
“Ka mijëra e mijëra civilë të pafajshëm në Gaza që po vuajnë”, thotë ajo. “Ka kaq shumë vuajtje. Do të doja që liderët tanë, të gjithë liderët, të thoshin: ‘ne do të bëjmë atë që duhet të bëjmë në mënyrë që njerëzit normalë të ndalojnë së vuajturi’”.
Traumat edhe pas lirimit
Ekspertët thonë se nuk janë vetëm familjet e pengjeve që janë bllokuar në një pritje të mundimshme. Janë edhe 105 pengjet që u liruan në nëntor gjatë një armëpushimi njëjavor duke lënë pas të tjerë.
“Shumë prej tyre vazhdojnë të na thonë se nuk mund të fillojnë as të mbajnë zi e as të shërohen derisa miqtë ose anëtarët e familjes të kthehen”, thotë profesoresha Ofrit Shapira-Berman, një psikanaliste veterane dhe specialiste në trajtimin e traumave komplekse.
“Shumë prej tyre kanë ende një të afërm në Gaza”, thotë ajo. “Të tjerët kanë miq që i kanë bërë gjatë robërisë. Të gjithë presin. Kjo është një gjë e përbashkët. Trauma e tyre po vazhdon”.
Në mëngjesin e 7 tetorit profesoresha Shapira-Berman tashmë po mobilizonte një rrjet vullnetarësh mjekësh dhe ekspertësh të shëndetit mendor për të ofruar mbështetje për të mbijetuarit. Që nga nëntori, ata trajtojnë edhe pengjet e kthyera.
Në zyrën e saj plot libra në një periferi të Tel-Avivit, ajo na jep një rrëfim të asaj që duruan pengjet. Të gjithë janë dhunuar psikologjikisht, thotë ajo, por jo të gjithë janë dhunuar fizikisht.
“Disa prej tyre u rrahën”, thotë ajo, “përfshirë fëmijët. Të gjithëve iu dha një sasi shumë e vogël ushqimi, ishin pothuajse në prag të urisë, u jepej shumë pak ujë dhe nganjëherë ujë që ishte i ndotur. Ata u droguan. Ata ishin të detyruar të merrnin ketaminë. Madje edhe i preknin, pa pëlqimin e tyre”, tregon ajo me zë të trishtë.
Ka shqetësim të veçantë në Izrael për gratë që mbahen peng - me arsye, thotë ajo.
“Ajo që u zbulua është dëshmi shumë e qartë se disa nga gratë janë duke u abuzuar seksualisht” na thotë ajo, “janë ende duke u abuzuar seksualisht”.
Ajo thotë se ka dyshimet e veta për të ardhmen e atyre që janë liruar. Të paktën disa prej tyre ndoshta “do të jenë në gjendje të duan dhe t’i besojnë dikujt”, thotë ajo, por shton se mund të duhen vite.
Profesoresha paralajmëron se shërimi do të jetë më i vështirë për ata që u dhunuan fizikisht ose u kthyen për të zbuluar se të dashurit e tyre ishin masakruar dhe shtëpia e tyre ishte shkatërruar.
Gjendja e pengjeve
Për ata që mbeten në Gaza, pesë muaj më vonë, na thotë ajo, rimëkëmbja është shumë më e vështirë, edhe nëse përfundimisht lirohen.
Dhe nëse nuk lirohen, çfarë do të thotë kjo për pengjet që janë kthyer?
“Epo, me sa duket zemra mund të copëtohet në copëza të pafundme”, përgjigjet profesoresha Shapira-Berman. “Pra, edhe pse tashmë është thyer, do të thyhet përsëri. Edhe kur pengjet të kthehen, ky është Holokausti ynë modern”.
Fotot familjare të Itai Svirskyt shfaqin një burrë me flokë të errët me sy të qeshur dhe faqe plot.
Në një foto 38-vjeçari është duke luajtur në kitarë. Në një tjetër ai është ulur në një stol me krahun rreth gjyshes së tij, Aviva.
Në një video propagandistike të publikuar nga Hamasi në janar, shihet një Itai krejt tjetër - i dobët, me sy të lodhur dhe një zë të çjerrë.
Ai nuk do të kthehet në shtëpi. Gjithçka që familja e tij mund të shpresojë është ta marrë trupin e tij nga Gaza për varrim.
Ata thonë se Itai u vra nga një nga terroristët që po e ruante - pas një sulmi ajror nga IDF-ja aty pranë - bazuar në një hetim nga ushtria.
“Itai u ekzekutua dy ditë më pas nga terroristi që e ruante”, thotë kushërira e tij, Naama Weinberg. “Ne e dimë që e ka qëlluar atë. Çfarë do ta shtynte atë njeri që ta qëllonte pas 99 ditëve?”.
Ushtria ka mohuar pretendimet e Hamasit se Svirsky u vra në sulmin ajror, megjithëse pranon se një tjetër peng i mbajtur me të ndoshta do të mund të ishte vrarë po atë ditë.
Pavarësisht humbjes së saj, Nama është ende duke bërë fushatë - për pengjet e tjera - megjithëse tani është futur thellë në pikëllim.
“Jam e zemëruar dhe e trishtuar sepse Itai nuk do të kthehet më”, thotë ajo. “Qeveria nuk bëri ç ‘mundet dhe ende nuk po bën shumë. Natyrisht, Hamasi nuk është partneri më i mirë për të negociuar, por ne duam që ata të kthehen dhe ne duam që ata të kthehen të gjallë”.
Naama është ende e tronditur nga ajo që kaloi Itai në muajt e tij të fundit - duke qenë dëshmitare e vrasjes së nënës së tij, Orit - një aktiviste paqeje - më 7 tetor.
“Jam shumë e shqetësuar për këtë”, më thotë ajo. “Jam e zhgënjyer nga shoqëria izraelite. Jam e zhgënjyer nga e gjithë bota që po qëndron e qetë dhe e lejon këtë të ndodhë”, tha ajo derisa u bashkua sërish me marshuesit në rrugën për në Jerusalem.
Shumica mbajnë posterë me foto të djemve, vajzave ose prindërve që nuk i kanë parë apo që nga 7 tetori, kur Hamasi i tërhoqi zvarrë në Gaza. Pastaj vjen një numërim i zymtë në hebraisht, “një, dy, tre” e në vazhdim - numërohen ditët kur janë larguar të dashurit e tyre.
Çdo fjalë e zërit tingëllon si një akuzë drejtuar kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu. Në posterë shkruhej “Refuzimi i marrëveshjes = Dënim me vdekje për pengjet”.
Pastaj numërimi përfundon, protestuesit largohen nga rruga ku kishin bllokuar trafikun. Dhe trafiku vazhdon - diçka që familjet e pengjeve nuk mund ta bëjnë, sepse kanë ngecur.
Për ata është ende 7 tetori.
(Përgatiti: Blerta Haxhiu)