Hetuesit ukrainas kanë hapur çështje ndaj ministrit të Mbrojtjes, Rustem Umerov, një veprim që mund të thellojë një përplasje në ministrinë e tij për prokurimin e armëve, që mund të tensionojë marrëdhëniet e Kievit me aleatët e rëndësishëm perëndimorë.
Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit në Ukrainë (NABU) ka njoftuar se hetimi ka filluar me kërkesë të Qendrës së Veprimit Kundër Korrupsionit dhe se do të hetojë nëse ka pasur abuzim të autoritetit nga Umerov, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Qendra e Veprimit Kundër Korrupsionit, ka akuzuar Umerov për veprim të paligjshëm duke përjashtuar kreun e Agjencisë së Prokurimit të Mbrojtjes (DPA), të cilin Umerov po refuzon ta rikthejë në punë pas kritikave për punën e agjencisë.
Umerov ka deklaruar javën e kaluar se DPA, e cila koordinon blerjet e armëve, kishte dështuar të ofronte rezultate për forcat ukrainase, komente që sollën në pah përplasje brenda Ministrisë lidhur me prokurimin e armëve.