E formuar si reagim kundër politikave të Eurozonës në vitin 2013, AfD-ja ishte mësuar të ishte në periferi të politikës gjermane, në një vend të dëmtuar prej të kaluarës naziste, ku çdo parti e ekstremit të djathtë është trajtuar me kujdes. Tani e ka dyfishuar mbështetjen, krahasuar me zgjedhjet e kaluara të mbajtura në vitin 2021, kur fitoi vetëm 10.3% të votave
Sistemi politik në Gjermani është i dizajnuar për të përjashtuar forcat radikale. Megjithatë, vendi po zgjohet me një realitet të ri politik që është orientuar nga spektri i djathtë, me partinë Alternativa për Gjermaninë (AfD) tanimë të etabluar në politikën gjermane.
Politikanët konservatorë të vendit, siç parashikuan sondazhet, fituan numrin më të madh të votave në zgjedhjet federale të mbajtura të dielën dhe do të provojnë të formojnë qeverinë e re, ndërkaq AfD doli e dyta. Sidoqoftë – vendi i dytë është rezultat i jashtëzakonshëm për një parti që pavarësisht se nuk do të jetë pjesë e formulës qeveritare, prapëseprapë do të shijojë zgjerim të ndikimit.
Partia e ka dyfishuar mbështetjen që nga zgjedhjet e kaluara të mbajtura në vitin 2021, kur fitoi vetëm 10.3% të votave. Tanimë është partia e parë e së djathtës ekstreme në historinë e Gjermanisë të pasluftës së Dytë Botërore që ka arritur sukses kaq të gjerë në publikun gjerman, dhe gjithashtu ka rritur numrin e ulëseve në Parlamentin (Bundestagun) e Gjermanisë.
AfD-ja arriti numër të madh të votave në Gjermaninë lindore, që për një kohë të gjatë kishte qenë bastioni i tyre. Por ka siguruar mbështetje të dukshme edhe në pjesën perëndimore të vendit, përfshirë qytetin industrial të Gelsenkirchen që po vuan nga një ekonomi e stagnuar dhe papunësi e lartë, dhe Kaiserslautern, i cili rrethohet nga disa baza ushtarake të Amerikës, duke përfshirë bazën ushtarake ajrore Ramstein.
“Nuk kemi qenë asnjëherë kaq të fortë – jemi forca e dytë më e madhe”, ka thënë liderja e AfD-së, Alice Weidel, në adresimin e saj para simpatizantëve të partisë në Berlin, menjëherë pas publikimit të rezultateve nga exitpoll-et të dielën në mbrëmje.
Disponimi në selinë e AfD-së ishte euforik pas shfaqjes së rezultateve nga exitpoll-et, me njerëzit që festuan dhe valëvitën flamujt gjermanë kudo.
Sa i përket liderit të Unionit Kristian-Demokrat (CDU), Friedrich Merz, i cili me shumë gjasa do të jetë edhe kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, ai nuk u kursye me kritikat e tij në raport me “ndërhyrjen” e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushatën zgjedhore të vendit – e cila u karakterizua me fjalimet dhe takimet e figurave të larta të administratës Trump me liderët e AfD-së.
Këto ndërhyrje janë “jo më pak dramatike e drastike sesa ndërhyrjet që kemi parë nga Moska”, ka thënë Merz.
E formuar si reagim kundër politikave të Eurozonës në vitin 2013, AfD-ja ishte mësuar të ishte në periferi të politikës gjermane, në një vend të dëmtuar prej të kaluarës naziste, ku çdo parti e ekstremit të djathtë është trajtuar me kujdes.
AfD-ja kishte siguruar ulëset e para në parlamentin gjerman në vitin 2017, duke pasur njëkohësisht vështirësi për të pasur qasje në mediat tradicionale gjermane, për shkak të retorikës së ashpër antimigracion dhe antiislam. Këto zgjedhje shënojnë herën e parë që partia ka pasur kandidat për postin e kancelarit.
Partia ka bërë thirrje për “remigracion” – përjashtimin masiv të imigrantëve. Politika kontroverse ka tërhequr paralele me periudhën naziste. AfD-ja është zyrtarisht e dyshuar për ekstremizëm të krahut të djathtë nga autoritetet gjermane dhe celula të saj kanë qenë nën mbikëqyrjen shtetërore.
E gjithë kjo duket se ka ndryshuar. AfD-ja tanimë është partia më e madhe opozitare në Gjermani, gjë që e ka kthyer në faktor të rëndësishëm politik që nuk mund të anashkalohet. Kjo ka ngjallur debat të gjerë në Gjermani, duke i detyruar rivalët kryesorë të pranojnë se duhet të bëjnë më shumë në çështjet kritike nëse duan t’i ruajnë votat
Rritja e tyre reflekton gjendjen aktuale në Evropë, ku blloku i partive të ekstremit të djathtë ka fituar terren. Sikurse në Holandë, Francë apo Austri, partitë e tilla nuk mund të injorohen apo përjashtohen lehtë, kur dihet fakti se ato kanë fituar numër të konsiderueshëm të votave – ose në rastin e Italisë, duke udhëhequr vendin.
Një zë më i fuqishëm në parlament nënkupton se “ata (AfD-ja) janë të aftë të ushtrojnë presion mbi partitë e mazhorancës nga një pozicion tejet i fuqishëm”, ka thënë Gemma Loomes, profesoreshë e politikave krahasimtare në Universitetin Keele.
“Rritja e mbështetjes do ta inkurajojë partinë të flasë, në mënyrë akoma më agresive, mbi çështjet që kanë rëndësi më të madhe për ta, por që partitë kryesore janë të tërhequra për t’i trajtuar”, ka shtuar Loomes.
E tërë kjo situatë shtron pyetjen: A mund të zgjasë i ashtuquajturi “mur i zjarrit” – marrëveshja e pashkruar midis partive tradicionale të Gjermanisë për t’u bërë bashkë që ta mbajnë AfD larg pushtetit?
Në një shpërfaqje të vetëbesimit, lideri i krahut rinor të AfD-së, Hannes Gnaucke, i ka thënë CNN-it në ditën e zgjedhjeve se ai ishte i “sigurt” se “muri i zjarrit” do të përfundonte pas numërimit të votave të dielën.
Vendimi diskutabil i Merzit për të shtyrë përpara ligjin e imigracionit me ndihmën e AfD-së në janar mund të jetë një tregues i hershëm se si ai planifikon të ushtrojë pozitën e tij si kancelar.
Sipas Armida van Rij, hulumtuese e lartë në thinktank-un “Chatham House”, bashkëpunimi ndërmjet Merzit dhe AfD-së për ligjin e imigracionit ishte “një ndryshim i madh në politikën gjermane dhe një prishje e madhe në mënyrën se si janë bërë gjërat më parë, kur bashkëpunimi me AfD-në ishte një ndalim absolut”.
Ajo beson se ka “çarje” në “murin e zjarrit”.
“Në 5, 10, ose 15 vjetët e ardhshëm muri nuk do të jetë më aty”, ka hamendësuar ajo, ndoshta në nivelin rajonal si fillim e pastaj edhe në nivelin kombëtar.
“Për partitë e qendrës pyetja e vërtetë është si t’i adresojmë ankesat e vërteta të votuesve dhe si ta bëjmë këtë në një mënyrë që nuk e përforcon ekstremin e djathtë”, ka shtuar ajo.
Ndërkohë politikanët e AfD-së tashmë e kanë fokusin e tyre te zgjedhjet e ardhshme në vitin 2029 – kur ata jenë të vendosur se “muri” nuk do të ekzistojë më.
“Unë jam i bindur se i ashtuquajturi ‘mur i zjarrit’ do të ndalojë së ekzistuari pas këtyre zgjedhjeve”, ka thënë lideri i krahut rinor të AfD-së, Hannes Gnauck, për CNN-in të dielën në mbrëmje.
“Do të jetë një CDU pas Friedrich Merz, dhe kjo CDU duhet të punojë bashkë me AfD-në”, ka shtuar ai.
Po ashtu liderja e AfD-së, Alice Weidel, iu tha gazetarëve në Berlin mëngjesin e së hënës se “Merz ka vendosur të mbajë qëndrimin e tij bllokues ndaj AfD-së. Ne e konsiderojmë këtë bllokadë si antidemokratike. Nuk mund të përjashtosh miliona votues përnjëherë”.
Kthimi nga e djathta e Merzit plot me rrezik
Merzi tani përballet me ecje mbi një litar derisa provon të formojë qeverinë e re.
CDU-ja ka qenë gjithmonë parti qendrore në Gjermaninë e pasluftës dhe i kishte paraprirë riunifikimit të Gjermanisë Lindore dhe Gjermanisë Perëndimore.
Mirëpo, gjithçka ka ndryshuar që nga koha kur partia ishte në pushtet.
Duke mos qenë më e lidhur me elementin liberal, politikën e “dyerve të hapura” që ishte popullarizuar në periudhën e Angela Merkel, Merzi është zotuar të rikthejë partinë në rrënjët e saj konservatore, si pjesë e përpjekjes për të ndaluar të djathtën ekstreme.
Sidoqoftë, premtimi i Merzit për ta rikthyer CDU-në tek e djathta nuk është pa rreziqe. Kjo lëvizje rrezikon të përforcojë AfD-në, duke izoluar bazën e votuesve centrist të CDU-së.
Sipas Loomes, ky është një “vendim plot me rrezik”.
“AfD-ja e ka pozicionuar veten si partia e vetme që është e gatshme të flasë për imigracionin dhe të propozojë veprime radikale që ballafaqohen me problemin e perceptuar”, ka thënë ajo.
“Nëse CDU-ja e pozicionon veten në këtë hapësirë, rrezikon të perceptohet si një version më pak autentik i AfD-së. Votuesit janë të bindur se AfD-ja shqetësohet thellësisht për kufizimin e imigracionit; ata janë më pak të bindur se ky është prioritet i mirëfilltë për CDU-në”, ka shtuar Loomes.
Qeveria e re e Merzit me shumë gjasa do të përfshijë një tjetër parti të qendrës, Socialdemokratët (SPD) e Scholzit, të cilët kryesuan me koalicionin e mëparshëm të vendit, dhe dolën në vendin e tretë pas zgjedhjeve të së dielës.
Paçka se ndërtimi i koalicioneve mund të rezultojë punë e vështirë, me dy partitë që mund të përplasen mbi çështje kyç, veçanërisht për fushën e politikës së jashtme. Nuk ka garanci që qeveria e re nuk do të jetë po aq e paqëndrueshme dhe e paaftë për të qeverisur sa koalicioni i mëparshëm.
Fryma transatlantike
Derisa Gjermania ka pasur prej kohësh përbuzje ndaj partive të ekstremit të djathtë që nuk është parë te fqinjët e saj evropianë, disa gjermanë besojnë se ka ardhur koha për të thyer tabutë e vjetra.
Dhe partneri i fuqishëm transatlantik i AfD-së vetëm sa po i kontribuon kësaj pikëpamjeje.
Miliarderi amerikan, Elon Musk, iu drejtua turmave gjatë paraqitjes befasuese në fushatën zgjedhore të AfD-së në janar. “Ka shumë përqendrim në fajin e së kaluarës dhe neve na duhet të shkojmë përtej kësaj”, ka thënë ai, në fjalimin që pasqyronte pikëpamjet e AfD-së, i cili u prit me duartrokitje të shumta.
Ndërkohë, në fjalimin e tij të ashpër në Konferencën e Sigurisë në Munih, zëvendëspresidentit amerikan, JD Vance, iu tha liderëve evropianë se nuk ka “hapësirë për mure të zjarrit” në demokraci, duke tundur kokën figurativisht në përkrahje të AfD-së.
Merzit do t’i duhet të përballet me një administratë Trump që e ka lavdëruar rivalin e tij kryesor politik dhe e cila, siç duket, është duke i këputur lidhjet afatgjata të sigurisë ndërmjet SHBA-së dhe Evropës.
Një qeveri e fortë në Berlin dhe një Evropë e bashkuar tanimë duket më e rëndësishme se kurrë. Kontinenti është në kërkim të lidershipit të ri, që si i tillë i duhet të përballet me një Trump që po u prin bisedimeve të paqes për Ukrainën pa përfshirjen e tyre në tavolinë.
Për Merzin, pavarësimi i Evropës nga Amerika është shqetësimi parësor. “Prioriteti im absolut është të forcojmë Evropën sa më shpejt që është e mundur, hap pas hapi, ne mund të arrijmë pavarësi të plotë nga SHBA-ja”, ka deklaruar Merzi të dielën në mbrëmje.
Përderisa rryma kryesore e Gjermanisë ka penguar një qeveri radikale të së djathtës ekstreme, sfidat e Merzit sapo kanë filluar.
Përgatiti: Ideal Zhubi