Gwadari është vend modest, por simpatik. Ushqimi është i shkëlqyeshëm dhe vendasit njihen për mikpritje të ngrohtë. Qyteti ngarkohet shumë gjatë festave publike, sidomos në plazh. Pavarësisht të gjithave, ka perceptim se është vend i rrezikshëm ose i zorshëm për ta vizituar
Pa pasagjerë dhe pa aeroplanë. Aeroporti i ri dhe më i shtrenjtë i Pakistanit është përplot mister. I financuar tërësisht nga Kina, për rreth 240 milionë dollarë, të gjithë pyesin se kur do të hapet për operim Aeroporti i ri Ndërkombëtar i Gwadarit.
I vendosur në qytetin bregdetar të Gwadarit dhe i kompletuar në tetor të vitit 2024, ndërtesa e bukur e aeroportit është tërësisht në kontrast me provincën e varfër dhe të trazuar të Balochistanit.
Në dekadën e fundit, Kina ka derdhur para në Balochistan dhe Gwadar si pjesë të një projekti multi miliard dollarësh për ta lidhur provincën e vet perëndimore, Xinjlang, me Detin e Arabisë, në emër të Korridorit Ekonomik Kinë-Pakistan apo CPEC.
Autoritetet e kanë lavdëruar duke e vënë theksin te transformimi, por shenjat e ndryshimit në Gwadar janë të zbehta. Qyteti nuk është i lidhur me rrjetin kombëtar të energjisë – ajo vjen nga Irani fqinj apo panelet diellore – dhe nuk ka as mjaftueshëm ujë të pastër.

Aeroporti me kapacitet prej 400 mijë pasagjerësh nuk është prioritet për qytetin me 90 mijë banorë.
“Ky aeroport nuk është për Pakistanin ose Gwadarin”, ka thënë Azeem Khalid, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare, që ka specializuar për lidhjet Pakistan-Kinë. “Është për Kinën, ashtu që ata të sigurojnë qasje për shtetasit e tyre në Gwadar dhe Balochistan”.
Midis separatistëve dhe ushtrisë
CPEC ka shërbyer si katalizator për kryengritjen prej dekadash në Balochistanin e pasur me burime dhe si vendndodhje strategjike. Separatistët që luftojnë për pavarësi janë revoltuar nga ajo që ata thonë se është shfrytëzim shtetëror në kurriz të vendasve. Ata i kanë pasur cak në vazhdimësi trupat pakistaneze dhe punëtorët kinezë në provincë e më gjerë.
Pjesëtarë të minoritetit balosch në Pakistan thonë se përballen me diskriminim nga Qeveria dhe u janë mohuar mundësitë kudo nëpër shtet. Akuzat megjithatë mohohen nga Qeveria e shtetit.
Pakistani, i vendosur që t’i mbrojë investimet e Kinës, ka vendosur shenjat e veta ushtarake në Gwadar për të luftuar ata që duan ndarjen. Qyteti është përplot postblloqe, trupa, barrikada, tela me gjemba e kulla vrojtimi. Rrugët mbyllen vazhdimisht nga disa ditë në javë, për të mundësuar kalimin e sigurt të punonjësve kinezë dhe VIP-ave pakistanezë.
Zyrtarët e inteligjencës i monitorojnë edhe lëvizjet e gazetarëve që vizitojnë Gwadarin. Tregu i peshkut në qytet konsiderohet pjesë e ndjeshme për t’u mbuluar.

Shumë banorë vendas shprehen të rraskapitur nga kjo gjendje.
“Askush nuk e kishte zakon të na pyeste se ku po shkojmë, çka po bëjmë e si e kemi emrin”, ka thënë 76-vjeçari Khuda Bakhsh Hashim nga Gwadari. “Jemi mësuar t’i shijojmë piknikun e natës në male apo zonat rurale”.
“Neve tani na kërkohet të dëshmojmë identitetin tonë, kush jemi ne, nga kemi ardhur”, ka shtuar ai. “Jemi banorë. Ata që na pyesin duhet të tregojnë identitetin e tyre se kush janë”.
Hashim ka kujtuar kohërat kur Gwadari ishte pjesë e Omanit dhe jo e Pakistanit. Atë kohë kjo zonë shfrytëzohej si ndalesë për anijet e pasagjerëve që shkonin në Mumbai. Njerëzit nuk ishin të uritur e burrat gjenin vende pune lehtësisht, sipas tij. Gjithmonë kishte diçka për të ngrënë e nuk mungonte uji i pijshëm.
Por uji në Gwadar është tharë tani për shkak të shfrytëzimit të tokës pa kontroll. Ngjashëm e kanë pësuar edhe vendet e punës.
Qeveria ka thënë se CPEC ka krijuar rreth 2 mijë vende pune për banorët lokalë, por nuk është e qartë se çka ka nënkuptuar me termin “lokalë” – rezidentët baloch të Pakistanit jetojnë gjithandej shtetit. Autoritetet nuk kanë ofruar detaje të tjera për pretendimin.
Në Gwadar përfitojnë pak nga prania e Kinës
Gwadari është vend modest, por simpatik. Ushqimi është i shkëlqyeshëm dhe vendasit njihen për mikpritje të ngrohtë. Qyteti ngarkohet shumë gjatë festave publike, sidomos në plazh.

Pavarësisht të gjithave, ka perceptim se është vend i rrezikshëm ose i zorshëm për ta vizituar – vetëm një linjë komerciale operon jashtë aeroportit të brendshëm të Gwadarit, tri herë në javë drejt Karachit (qytetit më të madh të Pakistanit), i pozicionuar në anën tjetër të bregdetit arab të Pakistanit. Nuk ka fluturime direkte drejt Quettas, kryeqytet i provincës së Balochistanit, qindra mijëra milje larg, ose edhe drejt kryeqytetit kombëtar Islamabad, që pozicionohet edhe më në veri. Një autostradë piktoreske bregdetare ka pak ndërtesa përreth.
Që nga shpërthimi i Balochit pesë dekada më parë, mijëra njerëz janë zhdukur – të gjithë që flasin kundër shtypjes mund të ndalohen, si të dyshuar për lidhje me grupet e armatosura, kanë bërë të ditur banorët lokalë.
Njerëzit janë mbushur; aktivistët thonë se ka forca të cilat torturojnë dhe zhdukin. Prapë të gjitha këto akuza mohohen nga qeveria.
Hashim dëshiron që CPEC-ja të ketë sukses ashtu që banorët lokalë, sidomos të rinjtë, të gjejnë vende pune, shpresë e arsye për qëndrim. Por kjo s’ka ndodhur.
“Kur dikush ka diçka për të ngrënë, atëherë përse ai duhet të zgjedhë të shkojë në anën tjetër”, ka thënë ai. “Nuk është gjë e mirë t’i mërzitësh njerëzit”.
Dhuna e brendshme nga militantët ra në Balochistan pas veprimit të Qeverisë më 2014 dhe pësoi rënie në fund të dekadës së shkuar, sipas Institutit të Pakistanit për Studimet e Luftës dhe Sigurisë.
Sulmet u ngjallën pas 2021-tës dhe janë ngritur në vazhdimësi që nga ajo kohë. Grupet militante, sidomos të njohurit si Ushtria Çlirimtare e Balochit, u inkurajuan nga talebanët pakistanezë duke i dhënë fund armëpushimit me Qeverinë në nëntor të vitit 2022.
Shtyrja e inaugurimit
Disa shqetësime për sigurinë e kanë shtyrë inaugurimin e aeroportit ndërkombëtar. Ka pasur frikë se malet e zonës – dhe afërsia e tyre me aeroportin – mund të shërbejnë si baza ideale për ndonjë sulm eventual.
Në vend të kësaj, kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, dhe homologu kinez, Li Qiang, kanë mbajtur një ceremoni virtuale. Fluturimi inaugurues u organizua jashtë monitorimit të medias dhe publikut.
Abdul Ghafoor Hoth, president i degës së partisë Balochistan Awami në këtë distrikt, ka thënë se asnjë banor i vetëm i Gwadarit nuk ishte punësuar në aeroport “as edhe si rojë”.
“Harroni për punë të tjera, sa njerëz baloch ishin në këtë port që u ndërtua për CPEC-në”, ka pyetur ai.
Në muajin dhjetor, Hothi pati organizuar protesta të përditshme për kushtet e jetës në Gwadar. Protestat u ndalën 47 ditë më pas, sapo autoritetet i përmbushën kërkesat e vendasve, përfshirë qasje më të mirë në energji elektrike dhe në ujë të pijshëm.
Por pavarësisht zotimeve për implementim të këtyre kërkesave, nuk është bërë përparim fare që nga ajo kohë.
Pa vende pune për lokalët, shërbime apo mallra, nuk mund të ketë përfitime nga CPEC-u, ka thënë eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Khalidi. Përpos mjeteve financiare që erdhën në Gwadar, njëjtë edhe aparati i rëndë i sigurisë krijoi barriera e thelloi mosbesimin.
“Qeveria e Pakistanit nuk është e gatshme t’i japë asgjë popullit baloch dhe balochët nuk janë të gatshëm të marrin nga qeveria”, ka thënë Khalidi.