Botë

Aeroporti i Damaskut rihapet për herë të parë që nga rënia e Assadit

Aeroporti i Damaskut

Foto: Associated Press

Aeroporti i Damaskut është rihapur të mërkurën për herë të parë që nga rënia e qeverisë së Bashar al -Assadit.

Avioni i parë civil u ngrit nga Damasku dhe u ul në qytetin verior të Halepit, raporton AP.

Aeroporti aktualisht është i hapur vetëm për fluturimet e brendshme, por hapësira ajrore siriane është e hapur për fluturimet ndërkombëtare.

"Është një ditë e rëndësishme në jetën e popullit sirian”, ka thënë Saad Khair Bec, mbikëqyrës teknik i Aeroportit të Damaskut.

"Kjo shënon nisjen e parë të një fluturimi vendas sirian nga Aeroporti Ndërkombëtar i Damaskut në Aeroportin e Halepit pas rënies së regjimit të vjetër”, ka shtuar ai.

Institucionet shtetërore janë rikthyer gradualisht në punë ditët e fundit, përfshirë portin kryesor në qytetin bregdetar të Latakisë.