Botë

Abdelatty: Plani egjiptian për rindërtimin e Gazës është “praktik, i realizueshëm dhe i arritshëm”

Badr Abdelatty

Foto: Associated Press

Kryediplomati egjiptian Badr Abdelatty ka theksuar të shtunën se plani i shtetit të tij për rindërtimin e Gazës është praktik, plotësisht i zbatueshëm dhe i arritshëm, teksa ka shtuar se në kuadër të tij palestinezët nuk do të detyrohen ta braktisin atdheun e tyre.

Këtë ai e ka thënë në një konferencë shtypi, të mbajtur pas takimit me kryeministrin palestinez, disa ditë para samitit të vendeve arabe në Kajro për shpalosjen e planit egjiptian.

Egjipti ka përpiluar plan për rindërtimin e Gazës, për ta rivalizuar propozimin e presidentit amerikan, Donald Trump, që nxiti kritika ndërkombëtare pasi që e parasheh zhvendosjen e rreth 2 milionë palestinezëve nga territori.

Trumpi ka thënë se SHBA-ja do ta marrë në kontroll Rripin e Gazës dhe do ta rindërtojë në atë që e quajti “Rivierë e Lindjes së Mesme”, e në të cilën palestinezët nuk do të lejohen të rikthehen.

E kryeministri palestinez ka vlerësuar se plani egjiptian është një hap përpara për krijimin e shtetit palestinez.