Botë

A mund t’i dëbojë Trumpi një milion imigrantë?

Donald Trump - Fushata

Foto: Associated Press

Trumpi ka thënë se do ta përfshijë Gardën Kombëtare ose forca të tjera ushtarake amerikane për të ndihmuar me dëbimet. Historikisht, roli i ushtrisë amerikane në çështjet e imigracionit ka qenë i kufizuar në funksionet mbështetëse në kufirin SHBA-Meksikë. Përveç përdorimit të ushtrisë dhe “forcave lokale të zbatimit të ligjit”, Trumpi ka ofruar pak specifika se si mund të realizohej një plan i tillë dëbimi masiv.

Nëse rizgjidhet president, Donald Trump ka premtuar dëbimin masiv të njerëzve që nuk kanë leje qëndrimi për të qenë në Shtetet e Bashkuara. Trumpi ka premtuar dëbim siç nuk është parë kurrë më parë. Teksa gjatë fushatës janë dhënë përgjigje të ndryshme se sa prej tyre mund të dëbohen, kandidati për zëvendëspresident i Partisë Republikane, JD Vance, ka ofruar një shifër gjatë një interviste për ABC News këtë javë. 

“Le të fillojmë me një milion”, u shpreh ai. “Kjo është pika ku Kamala Harris ka dështuar. Dhe pastaj ne mund të vazhdojmë që aty”. 

Megjithëse moton “Dëbime masive tani” e ka të paraqitur gjithandej në fushatë, ekspertët kanë vlerësuar se ka sfida të rëndësishme ligjore dhe praktike për të dëbuar kaq shumë njerëz. Telashet pritet të jenë edhe humane, sepse do të ndaheshin familje të shumta e shumë vendpunishte dhe kompani do të kishin telashe me mungesë punëtorësh gjithandej SHBA-së.

Cilat janë sfidat ligjore?

Shifrat e fundit nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe “Pew Research” tregojnë se janë rreth 11 milionë emigrantë pa dokumente që jetojnë aktualisht në SHBA. Numri ka qëndruar përafërsisht i njëjtë që prej vitit 2005.

Shumica janë banorë afatgjatë - gati katër të pestat kanë qenë në vend për më shumë se një dekadë.
Imigrantët që janë në SHBA pa status ligjor, megjithatë kanë të drejtën që të ankohen në proces të rregullt gjyqësor. Një rritje drastike e numrit të dëbimeve ka gjasa që të sjellë ngarkesë të madhe në sistemin e gjykatave që merren me çështjet e imigracionit.

Shumica e imigrantëve tashmë përfshihen në sistemin e dëbimit jo përmes takimeve me agjentët e Emigracionit dhe Doganës (“Ice”), por nëpërmjet shërbimeve lokale ligjzbatuese.

Megjithatë, shumë nga qytetet dhe qarqet më të mëdha të vendit kanë miratuar ligje që kufizojnë bashkëpunimin e policisë lokale me “Ice”-në.

Trumpi është zotuar të ndërmarrë veprime kundër këtyre “qyteteve të shenjta”, por sistemi amerikan me ligje lokale, shtetërore dhe federale e komplikon edhe më shumë çështjen.

Kathleen Bush-Joseph, analiste e politikave në Institutin e Politikave të Migracionit me qendër në Washington (MPI), ka deklaruar se bashkëpunimi midis “Ice”-t dhe zyrtarëve lokalë do të ishte një aspekt “kritik” i çdo programi të dëbimit masiv.

“Është shumë më e lehtë për ‘Ice’-n të marrë dikë nga burgu nëse forcat lokale të zbatimit të ligjit bashkëpunojnë. Dhe jo që në vend të kësaj të shkojë t’i kërkojë vetë”, ka thënë ajo.

Si shembull, Bush-Joseph vuri në dukje një deklaratë në fillim të gushtit nga zyrat e sherifit të qarqeve Broward dhe Palm Beach të Floridës, në të cilën kishin thënë se nuk do të dërgonin zyrtarë për të ndihmuar në ndonjë plan të dëbimit masiv.

“Ka shumë të tjerë që nuk do të bashkëpunonin për një plan të dëbimit masiv nga ana e Trumpit”, ka thënë ajo. “Kjo e bën shumë më të vështirë”.

Çdo program i dëbimit masiv ka gjithashtu gjasa që të përballet pothuajse menjëherë me mori sfidash ligjore nga aktivistët e imigracionit dhe të të drejtave të njeriut, edhe pse një vendim i Gjykatës së Lartë të vitit 2022 ka lënë të nënkuptohet se gjykatat nuk mund të lëshojnë urdhra për politikat e zbatimit të imigracionit.

A mund të realizohet?

Nëse një administratë amerikane do të ishte në gjendje të përparonte ligjërisht me planet për dëbime masive, autoritetet do të duhej të përballeshin ende me sfida të mëdha logjistike.

Gjatë Administratës së Joe Bidenit, përpjekjet për dëbim ishin fokusuar tek imigrantët e ndaluar së voni në kufi. Imigrantët e dëbuar nga zona që nuk ndodhen pranë kufirit, janë në masë të madhe, ata me histori kriminale ose që konsiderohen si kërcënim për sigurinë kombëtare.

Bastisjet kontroverse në kantiere pune që u kryen gjatë administratës Trump u pezulluan në vitin 2021.
Dëbimet e njerëzve të arrestuar në brendësi të SHBA-së - në krahasim me ata në kufi - kanë qenë nën 100 mijë për një dekadë. Ato kishin arritur kulmin në mbi 230 mijë gjatë viteve të hershme të administratës së Barack Obamas.

Drejtori i politikave në Këshillin Amerikan të Emigracionit, Aaron Reichlin-Melnick ka theksuar se procesi i dëbimit është i gjatë dhe i ndërlikuar dhe se identifikimi dhe arrestimi e një emigranti pa dokumente është vetëm fillimi.

Pas kësaj, të paraburgosurit do të duhet të strehohen ose të vendosen në një program “alternativ të paraburgimit” përpara se të sillen para një gjyqtari të imigracionit, në një sistem që ka të grumbulluara lëndë prej disa vjetësh.

Vetëm atëherë të arrestuarit mund të largohen nga SHBA-ja. E në procesin e largimit kërkohet po ashtu bashkëpunim diplomatik nga vendi pritës.

“Në secilën prej këtyre sferave, ‘Ice’ thjesht nuk ka kapacitetin për të procesuar me miliona njerëz”, ka thënë Reichlin-Melnick.

Trump ka thënë se do të përfshijë Gardën Kombëtare ose forca të tjera ushtarake amerikane për të ndihmuar me dëbimet.

Historikisht, roli i ushtrisë amerikane në çështjet e imigracionit ka qenë i kufizuar në funksionet mbështetëse në kufirin SHBA-Meksikë.

Përveç përdorimit të ushtrisë dhe “forcave lokale të zbatimit të ligjit”, Trump ka ofruar pak specifika se si mund të realizohej një plan i tillë dëbimi masiv.

Në një intervistë për revistën “Time” në fillim të këtij viti, ish-presidenti, që tash synon mandatin e rikthimit si kandidat i Partisë Republikane, pati thënë vetëm se ai “nuk do të përjashtonte” ndërtimin e objekteve të reja të paraburgimit për emigrantët dhe se do të përpiqet t’i japë imunitet policisë nga ndjekja penale nga “grupet liberale ose grupet progresive”.

Ai pati shtuar se mund të ketë gjithashtu stimuj për departamentet e policive shtetërore dhe lokale për të marrë pjesë.

“Ne duhet ta bëjmë këtë”, kishte thënë ai. “Ky nuk është një problem i qëndrueshëm për vendin tonë”. 
Eric Ruark, drejtori i kërkimit në “NumbersUSA” -  organizatë që avokon për kontrolle më të rrepta të imigracionit – ka thënë se çdo program dëbimi nga brendësia do të ishte efektiv vetëm nëse shoqërohet me forcimin e shtuar të kufijve.

“Ky duhet të jetë prioriteti. Ju do të bëni shumë pak përparim në brendësi nëse nuk veproni kështu”, ka thënë ai. “Pikërisht për këtë arsye tani po shihen më shumë njerëz”.

Për më tepër, Ruark ka thënë se një goditje ndaj kompanive që punësojnë imigrantë pa dokumente do të ishte gjithashtu e nevojshme.

“Ata po vijnë për punë”, ka deklaruar Ruark. “Dhe ata po i marrin ato punë, sepse zbatimi i brendshëm në thelb është i dështuar”.

Kostot financiare dhe politike

Ekspertët vlerësojnë se fatura totale për një milion ose më shumë dëbime do të shkonte në dhjetëra apo edhe qindra miliarda dollarë.

Buxheti i “Ice”-t për transportin dhe dëbimin në vitin 2023 ishte 420 milionë dollarë. Në atë vit agjencia deportoi pak më shumë se 140 mijë njerëz.

Mijëra emigrantë do të ndaloheshin teksa do të prisnin seancat gjyqësore ose dëbimin. E Trumpi ka parashikuar ndërtimin e kampeve të mëdha për t’i strehuar të gjithë.

Numri i fluturimeve të largimit do të duhej gjithashtu të zgjerohej në mënyrë dramatike, duke kërkuar ndoshta nevojën që avionët ushtarakë të përdoreshin për të rritur kapacitetin aktual.

Vetëm një zgjerim i vogël në secilën nga këto fusha mund të rezultojë në kosto të konsiderueshme.

“Edhe një ndryshim i vogël është në dhjetëra miliona ose qindra miliona”,  ka theksuar Reichlin-Melnick. “Një ndryshim i rëndësishëm është në dhjetëra apo qindra milionë”.

Këto kosto do të ishin shtesë ndaj përpjekjeve të tjera të zbatimit të kufirit që Trump ka premtuar: vazhdimi i punës në një mur kufitar jugor të SHBA-së, një bllokadë detare për të parandaluar hyrjen e fentanilit në vend dhe lëvizjen e mijëra trupave në kufi.

Adam Isacson, ekspert i migracionit dhe kufijve nga Zyra e Washingtonit për Amerikën Latine, ka thënë se “imazhet tmerruese” të dëbimeve masive gjithashtu mund t’i kushtojnë një administrate potenciale të Trumpit politikisht nga pikëpamja e marrëdhënieve me publikun.

A kanë ndodhur më parë dëbime masive?

Në katër vitet e administratës së mëparshme Trump, rreth 1.5 milion njerëz u deportuan, si nga kufiri ashtu edhe nga brendësia e SHBA-së.

Administrata Biden - e cila ka deportuar rreth 1.1 milion njerëz deri në shkurt 2024 – është gjithashtu në rrugën për ta arritur Trumpin, tregojnë statistikat.

Gjatë dy mandateve të Administratës së Obamës - kur Biden ishte zëvendëspresident - më shumë se tre milionë njerëz u deportuan, duke bërë që disa avokues të reformës së imigracionit ta quanin Barack Obamën “krye-deportues”.

Krahasimi i vetëm historik me një program masiv të dëbimit mund të bëhet vetëm me vitin 1954, kur deri në 1.3 milion njerëz u deportuan si pjesë e Operacionit “Wetback”, që ishte bazuar në një term fyes që atëherë përdorej zakonisht kundër popullit meksikan.

Megjithatë, kjo shifër kontestohet nga historianët.

Programi, nën presidentin Dwight Eisenhower, kishte hasur në kundërshtim të konsiderueshëm publik - pjesërisht për shkak se disa qytetarë amerikanë u deportuan gjithashtu - si dhe pati mungesë fondesh. Ai u ndërpre në masë të madhe nga viti 1955.

Ekspertët e imigracionit kanë vlerësuar se fokusi i operacionit të mëparshëm te shtetasit meksikanë dhe mungesa e procesit të rregullt e bën atë të pakrahasueshëm me atë se si do të dukej një program i sotëm i dëbimit masiv.

“Ata, të deportuarit në vitet 1950,  ishin beqarë, burra meksikanë”,  ka thënë Kathleen Bush-Joseph nga MPI. “Tani, shumica dërrmuese e njerëzve që vijnë midis porteve të hyrjes janë nga vende që nuk janë Meksika, apo edhe Amerika Qendrore veriore. Kjo e bën shumë më të vështirë kthimin e tyre”, ka deklaruar ajo. “Këto nuk janë situata të krahasueshme”.