Botë

A është presidenti i Zimbabvesë pas kontrabandimit të arit?

Presidenti i Zimbabvesë, Emmerson Mnangagwa

Presidenti i Zimbabvesë, Emmerson Mnangagwa

Foto: Associated Press

Presidenti Emmerson Mnangagwa ka premtuar t’i zgjidhë problemet e panumërta socio-ekonomike të Zimbabvesë, duke e përfshirë edhe valën e përhapur të korrupsionit. Megjithatë, janë zbuluar disa lidhje mes Mnangagwas dhe skemave të kontrabandimit të arit e të shpëlarjes së parave. Këto ngrijnë pyetje se sa di Mnangagwa për këto mashtrime dhe nëse ka qenë duke i drejtuar vetë.

Një hetim nga “Al Jazeera” ka treguar se bandat e ndryshme kontrabanduese të arit kanë një gjë të përbashkët - Emmerson Mnangagwan.

Një kontrabandues i arit e ka përshkruar presidentin e Zimbabvesë, Emmerson Mnangagwa, si partnerin e tij të biznesit. Një tjetër ka folur për Mnangagwan si ish-partner të cilin e takon akoma. 

Dhe i fundit ka thënë se atij i është dashur ta informonte presidentin për operacionet e kontrabandimit të arit.

Mbesa e presidentit ka treguar për skemën e përpunuar të pastrimit të parave dhe kontrabandimit të arit, të cilën ajo ka premtuar se do ta kryente. Dhe një nga diplomatët e lartë të Zimbabvesë, i zgjedhur nga Mnangagwa, e ka thirrur gruan e presidentit, në përpjekje për ta vulosur një marrëveshje për shpëlarjen e parave. 

Mafia e arit, hulumtim katërpjesësh nga “Al Jazeera”, ka zbuluar se si disa nga bandat më të mëdha të kontrabandimit të arit në Afrikën Jugore, e grabisin vendin e tyre për ta pasuruar veten, duke i ndihmuar kriminelët me shpëlarjen e miliona dollarëve. Reporterët e fshehur nga Njësia e Hetimit e “Al Jazeeras” (I-Unit) janë shfaqur si kriminelë për të depërtuar në këto banda, të cilat u kanë ofruar një sërë opsionesh për t’i shpëlarë dollarët e pista, duke e përdorur arin e Zimbabvesë.

Por rast pas rasti, përfshirë nëpër banda, një emër ka vazhduar të përmendet si personi që kontrabanduesit pretendojnë se u ka dhënë mburojë ruajtëse: Presidenti Emmerson Mnangagwa ose “ED”, siç njihet në Zimbabve.

Mnangagwa është bërë presidenti i Zimbabvesë në vitin 2017, duke e larguar nga pushteti liderin afatgjatë Robert Mugabe. Tani 80-vjeçar, Mnangagwa ka premtuar t’i zgjidhë problemet e panumërta socio-ekonomike të vendit, duke e përfshirë edhe valën e përhapur të korrupsionit. 

Megjithatë, hetimi zbulon disa lidhje mes Mnangagwas dhe skemave të kontrabandimit të arit dhe shpëlarjes së parave, të cilat po e shkatërrojnë vendin. Këto ngrijnë pyetje se sa di Mnangagwa për këto mashtrime dhe nëse – siç kanë thënë disa nga kontrabanduesit – ka qenë duke iu ndihmuar vetë.

Minierat e arit të Zimbabvesë Foto: AP

“Vlerësimi” 200 mijë dollarësh për Mnangagwan

Një nga mënyrat më të drejtpërdrejta për të shpëlarë para në shkëmbim të arit të Zimbabvesë është propozuar nga Uebert Angel, ambasador i përgjithshëm i Zimbabvesë në Evropë dhe Amerikë dhe zëvendësi i tij, Rikki Doolan.

Ata e kanë përshkruar Mnangagwan si “Numri Një” në skemën e tyre, duke insistuar në mënyrë të përsëritur se ai është në dijeni të asaj që po e bëjnë. Ideja ka qenë e thjeshtë: Shpëlarësit e parave do t’i dërgonin paratë e tyre të padeklaruara në Zimbabve përmes Angelit, i cili e shijon mbrojtjen diplomatike dhe nuk kontrollohet në aeroporte. Në shkëmbim, shpëlarësit do të merrnin shumën ekuivalente të arit të Zimbabvesë, të cilin mund ta shisnin për, siç duket, para legjitime. 

Angeli dhe Doolani gjithashtu kanë ofruar ta organizojnë një takim mes reporterëve të fshehur të “Al Jazeeras” dhe Mnangagwas – në shkëmbim të një tarife prej 200 mijë dollarëve. Por Angeli e ka bërë të qartë se nuk duhet të shihet si ryshfet i paguar ndaj Mnangagwas. Në vend të kësaj, ka thënë ai, kjo do të ishte mënyrë për t’i thënë “faleminderit” presidentit të Zimbabvesë.

“Ky burrë nuk merr ryshfet. Oh jo, jo ai nuk e bën”, ka thënë Angeli, që e quan veten profet e që është emëruar nga Mnangagwa si një nga diplomatët e tij të lartë. “Ka dallim të madh mes vlerësimit të dikujt dhe ryshfetit”.

Doolani, që e ka përdorur nofkën “Mr. Jones” (Z. Jones) për Mnangagwan, ka thënë: “Çfarë do të bëjmë ne është ta marrim atë vlerësim dhe t’ia japim ‘Z. Jones’”.

Në fund, reporterët nuk e kanë paguar shumën prej 200 mijë dollarësh të kërkuar nga Angeli dhe Doolani, prandaj takimi me Mnangagwan nuk ka ndodhur kurrë, por Doolani e ka bërë të qartë ndikimin që e ka Angeli në familjen e presidentit. 

“Z. dhe Znj. Jones e quajnë atë djalin e tyre”, ka thënë Doolani, duke folur për Angelin.

‘Pyete babanë’ 

Doolani nuk ka qenë duke bërë blof. Gjatë takimeve me reporterët, Angeli njëherë e ka telefonuar gruan e Mnangagwas, Auxillia, të cilën e quante “nënë”. Gjatë telefonatës, ai i kërkoi ndihmë për të shpëlarë 1.2 miliardë dollarë. “Al Jazeera” ka qenë në gjendje ta identifikojë në mënyrë të pavarur se personi në telefon ishte Auxillia Mnangagwa. 

“A të kujtohen ata njerëzit që duan të lëvizin para”, e ka pyetur Angeli, duke folur nga Mbretëria e Bashkuar, ku po takohej me reporterët. “Ata duan ta dinë, a do t’i sigurojmë ne aeroplanët apo do t’i sigurojnë ata aeroplanët?”

Auxillia është përgjigjur: “Ku ta di unë?” Ajo i ka thënë se Angeli duhet ta “pyesë babanë”, duke iu referuar Mnangagwas.

“Do ta takoj në ora 6 dhe do ta shoh si mund t’ia prezantoj më së miri”, ka thënë Angeli. “Do t’ia prezantoj atij, pra. Pastaj do të diskutojmë cilët aeroplanë do t’i përdorë, të tij apo të tyre”.

Kur Angeli e ka pyetur Auxillian nëse është e mundshme “lëvizja e parave”, gruaja e parë e Zimbabve ka thënë: “Ashtu është”.

Menjëherë pas thirrjes, Angeli u ka thënë reporterëve: “E keni përfshirë presidentin, e keni përfshirë këtë familje”.

Mbesa e presidentit

Në qendër të skemës së Angelit është Henrietta Rushwaya, që e udhëheq shoqatën e minatorëve të vendit. Ajo është mbesa e Mnangagwas.

Në telefon me Angelin, të dëshmuar nga reporterët e fshehur, Rushwaya e ka detajuar se si mund t’u ndihmonte në shpëlarjen e parave duke e përdorur arin.

Ata do të dërgonin 10 milionë dollarë para në dorë, një pas një për në Zimbabve përmes Angelit.

Paratë do të vendoseshin në Fidelity, rafinerinë e skemës së shpëlarjes së arit, ka thënë ajo. Ari i mbetur me vlerë 5 milionë dollarë do të kontrabandohej jashtë vendit te reporterët, të cilët mund të sigurojnë fonde, në dukje të ligjshme, nga shitja e tij. “Ata fitojnë ar me vlerë 5 milionë çdo javë”, ka thënë ajo. “E largojnë dhe u sjellim pesë milionë të tjerë”.

Monedha e artë e Zimbabvesë Foto: AP 

‘Ai duhet të informohet’ 

Kamlesh Pattni, kontrabandist famëkeq i arit, që është akuzuar se gati ka bankrotuar Kenian në vitet ’90, u ka treguar reporterëve ato që ka thënë se kanë qenë mesazhe WhatsAppi mes tij dhe Mnangagwa, të cilin e ka quajtur “Tembo”, që do të thotë elefant në gjuhën Suahili.

“Ai duhet të informohet”, ka thënë Pattni, teksa ka dërguar një mesazh të tillë në WhatsApp. “E kam informuar për çfarë po ndodh në Tanzani, që jemi duke e ndërtuar një fabrikë të monedhave të arit në Bulawayo”.

Pattni ka treguar disa foto të tij me presidentin e Zimbabvesë dhe ka ofruar ta organizojë takim mes reporterëve dhe Mnangagwas. Pattni gjithashtu ka thënë se dërgon punëtorë të besuar për t’u takuar rregullisht me Mnangagwan për t’ia ofruar “vlerësimin” e tyre – domethënë ryshfetin.

“Çdo dy javë, punonjësi im është te Shtëpia e Shtetit. Ne gjithmonë e ripërtërijmë vlerësimin tonë”, ka thënë Pattni. “Kur punon duhet që gjithmonë të kesh mbretin me ty, presidentin”. 

‘Mos e hapni gojën’ 

Ewan Macmillan, kontrabandist i arit të Zimbabvesë që qe arrestuar njëherë në vitet ’90, ka thënë se Mnangagwa ka qenë dikur partneri i tij i biznesit në përfitimin nga burimet natyrore të vendit. 

Njëherë, kur Macmillani ishte arrestuar, kishte marrë paralajmërim të qartë nga Mnangagwa.

Macmillani ka thënë: “Ai ishte partneri im, partneri im i vërtetë. Ai më ka thënë mua, mos e hap gojën. Jeta jote do të bëhet më e vështirë nga ç’është”, ka thënë Macmillani. “Thashë dreqin, po bën shaka me mua tani”.

Gjatë viteve, marrëdhënia e tyre është zbehur, por Macmillan ka thënë se ata janë takuar për darkë pasi Mnangagwa është bërë president. “Unë hyra brenda dhe ai më tha, ‘më vjen mirë që të shoh, shoku im i vjetër’”, ka thënë Macmillani. “Dhe i thashë ‘shumë mirë që po të shoh edhe unë dhe urime për pozitën tënde të re’”.

Ora e presidentit 

Megjithatë, ditëve të sotme, Macmillani ka pasur marrëdhënie më të afërt me një tjetër Emmerson Mnangagwa – djali i presidentit i cili e ka emrin e njëjtë me babanë e tij. 

“Mund të të vë në kontakt me të, nuk është problem, ai është shoku im”, u ka thënë Macmillani reporterëve të fshehur për djalin e presidentit.

Në një pikë të bisedës me reporterët, Macmillani ka filluar t’u tregojë koleksionin e orëve luksoze. “Kam ‘Daytonan’ e çeliktë, kam ‘Submariner’, kam ‘Submariner’ të artë, i kam dy ‘Presidentë’”, ka thënë ai, duke u treguar dy lloje të orëve Rolex. 

Një nga këto orë, ka thënë ai, fillimisht ishte e presidentit. 

“Kjo është mes nesh. Unë e kam orën e artë ‘President’ të Mnangagwas”, ka thënë Macmillani. “Djali i tij ka pasur borxhe, të cilat i duhej t’i paguante prandaj ma ka dhënë ‘Rolexin’. I kam paguar borxhet dhe ai ka thënë, ‘Të lutem mos i trego babait tim’, dhe unë mendova, ‘Dreqin burrë, po bën shaka. Kam orën e babait të tij’”.

‘ED-ja është partneri im’ 

Partneri i biznesit të Macmillanit, Alistair Mathias, gjithashtu ka pretenduar se ai ka pasur marrëdhënie të afërta pune me liderin e Zimbabvesë. 

Mathias krijon skema komplekse të kontrabandimit të arit për kriminelët që kërkojnë të shpërlajnë miliona dollarë të padeklaruar. Ai i ka ofruar shërbimet e tij te reporterët e “Al Jazeeras”. Në fillim i pavendosur që të flasë, ai në fund ka filluar t’ua tregojë emrat e liderëve në Afrikë, të cilët ka thënë se ishin klientët e tij.

“Swazilandi, mbreti është mik i ngushtë i imi. Presidenti i Zambias është mik i afërt i imi”, ka thënë Matias. “Republika Demokratike e Kongos – presidenti më ka ftuar disa herë për të shkuar atje dhe për të ndërtuar rafineri”.

"Presidenti i Ganës është interesant, shok i mirë i imi, e kam pasur si avokat”, ka thënë ai. Dhe presidenti Mnangagwa është më shumë se shok.

“Në Zimbabve, ED-ja është partneri im. Nuk mund ta them publikisht sepse është i sanksionuar”, ka thënë Mathias.

Duke i kërkuar përgjigje për hulumtimin e “Al Jazeeras”, Kamlesh Pattni e ka mohuar përfshirjen në çdo formë të shpëlarjes së parave ose ryshfetit dhe e ka mohuar se është në kontakt me presidentin Mnangagwa ose se ka ndonjë marrëdhënie biznesi me të.

Alistair Mathiasi e ka mohuar se ka dizajnuar mekanizma për shpëlarje parash dhe ka thënë se asnjëherë nuk ka shpërlarë para ose ar ose që ka ofruar për ta bërë këtë gjë. Ai ka thënë se nuk ka pasur marrëdhënie pune me Emmerson Mnangagwan ose ndonjë politikan afrikan, të cilët veç ua ka identifikuar reporterëve. 

Presidenti Mnangagwa, si dhe të përmendurit e tjerë, nuk kanë komentuar rreth kësaj çështjeje.