Qeveria australiane ka kaluar të ashtuquajturin legjislacion “botëndryshues” javën e kaluar, për t’i fshirë llogaritë e rrjeteve sociale – duke përfshirë Snapchatin, TikTokun, Facebookun, Instagramin, Redditin dhe X – nga pajisjet e fëmijëve nën moshën 16-vjeçare. Por kritikëve nuk ua ka mbushur mendjen ky vendim
Kirra Pendergast flet me mijëra adoleshentë çdo vit, meqë është pjesë e rolit të saj si edukatore e sigurisë kibernetike.
Ajo e di se me çfarë përballen ata online – mesazhe, ngacmime, shfrytëzim seksual, kërcënime – por askush nuk e ka përgatitur për armiqësinë, me të cilën është ballafaquar muajin e kaluar në një dhomë plot me 12 dhe 13-vjeçarë.
Ajo është rezervuar për të mbajtur tri fjalime në një shkollë të mesme të ulët në Australi, por vetëm disa minuta brenda seancës së parë, një grup me djem ka filluar të thotë fjalë ofenduese dhe mizogjene - të përdorura nga influencuesit - për gruan e paraqitur në prezantimin e Pendergastit.
Mësuesit janë përpjekur t’i heshtin, kur një vajzë në rreshtin e parë ka dhënë një koment të fundit që e ka tronditur Pendergastin dhe e ka detyruar të dalë nga dhoma duke qarë.
“Nuk mund ta besoj se jam duke qarë këtu”, ka thënë Pendergast në një video të filmuar nga makina e saj. “Besoj se sjellja që pash sot është e nxitur nga gjërat që kanë parë online. Në fakt, e di se është kështu dhe se ka nevojë për ndryshim”.
Pendergast, themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e kompanisë trajnuese për sigurinë kibernetike “Safe on Social”, njëherë ka qenë kundër ndalimit të rrjeteve sociale për fëmijët, por tani është pro kësaj ideje.
“Kam dëgjuar absolutisht çdo argument që më është thënë dhe kam pasur kundërargument për secilin prej tyre. Dhe pastaj mendova, ‘E dini çfarë? Ndalojeni atë. Thjesht ndalojeni atë”, ka thënë ajo.
Qeveria australiane ka kaluar të ashtuquajturin legjislacion “botëndryshues” javën e kaluar, për t’i fshirë llogaritë e rrjeteve sociale – duke përfshirë Snapchatin, TikTokun, Facebookun, Instagramin, Redditin dhe X – nga pajisjet e fëmijëve nën moshën 16-vjeçare.
Ligji do t’i shtyjë gjykatat të vendosin gjoba prej rreth 32 milionë dollarësh ndaj kompanive të rrjeteve sociale, të cilat nuk marrin hapa të arsyeshëm për t’i parandaluar këta fëmijë nga përdorimi i shërbimeve të tyre.
Qeveria nuk u ka treguar kompanive të teknologjisë se si ta bëjnë, por të paktën, ka thënë se pret që kompanitë të adaptojnë teknologji që verifikojnë moshën. Kjo vjen me probleme të privatësisë, që qeveria ka thënë se i ka adresuar në legjislacion.
Por, kritikëve nuk ua ka mbushur mendjen.
Ata thonë se është legjislacion i nxituar, i nxitur nga manovrat politike para zgjedhjeve federale, që mund t’i shtyjë fëmijët që i shpërfillin rregullat më thellë në zona të pasigurta të internetit.
Mbështetësit thonë se nëse kjo shpëton një jetë, ia vlen mundi.

Ngacmimi vdekjeprurës
Gjatë muajve të fundit dy vajza të reja janë bërë pjesë e listës në zgjerim të fëmijëve që kanë vrarë veten, pas pretendimeve se janë ngacmuar online.
Charlotte O’Brien ka vdekur në shtator, e pas saj Ella Catley-Crawford – të dyja ishin 12-vjeçare dhe familjet e tyre thonë se kanë qenë shënjestër e ngacmuesve, që i kanë tallur përmes Snapchatit.
Në rastin e Ellas, vajzat dyshohet se janë shtirur si dikush tjetër në aplikacion dhe i kanë shpërndarë videot që ua ka dërguar ajo.
“Ngacmimi në rrjete sociale është i vërtetë”, kanë thënë të afërmit e saj në faqen e “GoFundMe”, të hapur për të mbledhur para për funeralin e saj.
Prindërit e Charlottes, Matthew Howard dhe Kelly O’Brien, që atëherë i janë bashkuar fushatës që bën thirrje për ndalimin e rrjeteve sociale për të miturit nën 16 vjeç. Ata kanë vepruar në bazë të kërkesës së fundit të Charlottes - apel për ta për ta rritur ndërgjegjësimin.
Muajin e kaluar ata kanë udhëtuar në Canberra për t’ia prezantuar kryeministrit një peticion të nënshkruar nga 124 mijë njerëz – më i nënshkruari sa i përket kësaj teme – i cili bën thirrje që limiti i moshës në rrjetet sociale, të rritet për 36 muaj, pra nga 13 në 16.
“Asnjë prind nuk dëshiron ta kalojë atë që po kalojmë ne”, ka thënë Howard.
Danielle Einstein, psikologe klinike dhe autore, thotë se shkollat po lëvizin mbi një fushë të minuar ndërveprimesh që po zhvillohen në internet, jashtë orarit të shkollës, në platforma që janë përtej mundësive të tyre.
“Mësuesit janë nën presion të madh për ta zgjidhur faktin se kultura është minuar nga rrjetet sociale, nga ky lloj i sjelljes së keqe që në mënyrë delikate po lejohet të ekzistojë, vetëm sepse është kaq e vështirë të ndalosh”, ka thënë ajo.
Einsteini e ka mbështetur ndalimin e rrjeteve sociale, sepse ajo beson se telefonat dhe grupet e mesazheve po i zëvendësojnë bisedat e drejtpërdrejta, të cilat i mësojnë fëmijët si të lidhen me njerëzit dhe si t’i zgjidhin konfliktet.
“Papritmas, çdo gabim që bëjnë përhapet drejtpërdrejt në grupin e mesazheve”, ka thënë ajo. “Nuk e kanë mundësinë të bëjnë gabime të vogla dhe që këto gabime të mos kenë rëndësi”.
Liderët politikë e kërkuan ndalimin
Marrëveshjet mes partive kryesore politike në Australi janë të rralla, por sa i përket kësaj çështjeje, ato kanë mbajtur qëndrim të njëjtë.
Partia Liberale e opozitës ka propozuar limitin e moshës në rrjetet sociale në qershor, i cili është mbështetur nga kryeministri, e pastaj nga të gjithë liderët e shteteve dhe territoreve.
“Dua të flas me prindërit australianë”, ka thënë kryeministri Anthony Albanese në një video të postuar në Instagram. “Shpesh rrjetet sociale as nuk janë sociale, dhe ne e dimë. E vërteta është se do t’i dëmtojë fëmijët tanë”.
Dany Elachi e ka vërejtur këtë në shtëpinë e tij disa vjet më herët, kur ai dhe gruaja e tij i kanë pranuar kërkesat e vajzës së tyre, për ta përdorur celularin e tyre të vjetër. Ajo ishte 10-vjeçare atëherë.
“Brenda disa javëve e kemi parë se si ia ka pushtuar jetën”, ka thënë ai. “Qershia mbi tortë, mendoj, për mua dhe nënën e saj ishte kur e kapëm duke shkruar mesazhe me miqtë e saj nën mbulesën e krevatit në mesnatë. Dhe kështu, menduam dhe e kuptuam se nuk mund ta bëjmë këtë për 10 vjet të tjera”.
Ata kanë nisur komunitetin “Heads Up Alliance” për t’i inkurajuar prindërit e tjerë të vonojnë dhënien e telefonave fëmijëve të tyre dhe që nga atëherë rrjeti është rritur.
Elachi thotë se nuk ka diskutim që rrjetet sociale po i dëmtojnë fëmijët australianë.
“Prindërit po e shohin me sytë e tyre. Ka letra të vetëvrasjes. Fëmijët që u vetëvranë kanë shkruar letra të vetëvrasjes, duke na treguar se rrjetet sociale kanë luajtur rol dhe ne seriozisht po vazhdojmë të debatojmë nëse rrjetet sociale janë të dëmshme për shëndetin mental të fëmijëve? Kjo është në fakt e turpshme”, ka thënë ai.

Legjislacioni “i motivuar nga problemet politike”
Për shumë ekspertë, debati nuk ishte te efektet negative të rrjeteve sociale – por nëse një ndalim është përgjigjja e duhur.
Amanda Third, bashkëdrejtoreshë e Qendrës Kërkimore për të Rinjtë në Universitetin e Sydneyt Perëndimor, ka theksuar se për shumë fëmijë, hapja e llogarisë në moshën 13-vjeçare është “tërësisht e përshtatshme”.
“Ideja e ndalimit është tepër joshëse për prindërit, sepse duket sikur thjesht do t’ua heqë atë shqetësim nga lista juaj e gjërave”, ka thënë ajo. “Por në fakt, ndalimi nuk do të sjellë lehtësimin që prindërit kërkojnë. Është fakt i jetës që kjo do të vazhdojë të jetë pjesë kryesore e të qenit prindër në të ardhmen”.
Ajo ka thënë se beson që ndalimi është “i motivuar nga problemet politike dhe ekonomike”. Dy partitë kryesore që mbështetën ndalimin do të garojnë në zgjedhjet federale vitin e ardhshëm. Dhe pesha e rëndë e medias ‘News Corporation’, e cila ka nxitur ndalimin, ka mosmarrëveshje me Metan, pronarin e Facebookut dhe Instagramit.
Meta ka shpallur në mars se do ta ndalonte pagesën e ofruesve australianë për lajme, duke provokuar reagim të furishëm nga “News Corp”, lojtari dominues në industrinë e lajmeve shumë të koncentruara të Australisë.
Kryetari ekzekutiv i “News Corp Australia”, Michael Miller, ka mbajtur një fjalim në televizionin kombëtar në qershor duke i bërë thirrje qeverisë ta shtyjë Metën të paguajë, duke thënë: “Nuk mund ta lejojmë veten të ngacmohemi”.
“News Corp” ka nisur fushatën “Let Them Be Kids” një muaj para kësaj, duke treguar historitë e fëmijëve të ndikuar nga rrjetet sociale dhe duke bërë thirrje për ndalimin e përdorimit nga të miturit nën moshën 16-vjeçare.
The Courier Mail, në pronësi të “News Corp”, kohët e fundit e ka vlerësuar fushatën për “dëmtim të shkaktuar nga platformat e teknologjisë tek të rinjtë ... me atë raportim që tani ka rezultuar në ndryshime sizmike në ligjet e internetit”.
Bazuar në ligjin e miratuar qeveria u jep kompanive të teknologjisë 12 muaj për t’i përmbushur kërkesat.
DIGI, bordi i industrisë që përfaqëson rrjetet sociale duke përfshirë Metan, Snapchatin, TikTokun dhe X, është përballur me pritje armiqësore para se të miratohej ligji, gjatë një seance dëgjimore të komisionit të senatit të thirrur me nxitim për projektligjin.
Në një linjë pyetjesh se si ofruesit do t’i shkatërronin të dhënat për t’i përmbushur kërkesat e privatësisë, senatorët kanë qeshur kur drejtoresha menaxhuese e DIGI-t, Sunita Bose ka thënë: “Anëtarët tanë besojnë në parimin e minimizimit të të dhënave”.
Senatori i pavarur, David Pocock, është përgjigjur: “Shpresoj që ata t’ju paguajnë shumë para, sepse duhet të jetë punë e vështirë për t’i bërë disa nga anëtarët tuaj të duken si aktorë të mirëbesimit”.
Në një postim para miratimit të ligjit, pronari i X, Elon Musk, ka sugjeruar se projektligji ishte ndërhyrje e tepruar e qeverisë. I vetëshpallur “absolutist i fjalës së lirë” dhe aleat i ngushtë i presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, ka shkruar se ndalimi “dukej si mënyrë e fshehtë për ta kontrolluar qasjen në internet nga të gjithë australianët”.
Ofruesit e tjerë kanë bërë përpjekje për t’u angazhuar në këtë çështje.
Snap Inc., shërbimi i mesazheve të të cilit Snapchat dyshohet se është përdorur për të ngacmuar Charlotte O'Brienin dhe Ella Catley-Crawfordin, ka thënë se “ngacmimi nuk ka vend” në aplikacion dhe ka inkurajuar fëmijët që kanë probleme t’i bllokojnë dhe raportojnë shkelësit.
Instagrami, pronësi e Metas, kohët e fundit ka bashkëpunuar me “Kids Helpline” për një fushatë anti-ngacmimit “How do you mean?” që i pyet krijuesit e përmbajtjeve nëpër rrjete se a përballojnë ngacmimin online. Kur janë pyetur se pse nuk janë shkëputur, disa kanë thënë se do të ishte “e padrejtë dhe joreale” të largoheshe, sepse komuniteti, miqtë dhe familja janë online.
Mesazhi ishte se “gjithkush ballafaqohet me sjellje të keqe”, por ka mënyra për t’u përballur me të – duke prekur butonin për t’i bllokuar dhe raportuar ngacmuesit – para se të kërkojnë ndihmën e një të rrituri.
Disa prindër besojnë se ka mjaft sjellje të keqe në jetën reale, pa i shtuar këtu rrjetet sociale – sidomos gjatë shkollës së mesme të lartë, që sipas psikologes Einstein është koha kur fëmijët formojnë grupe shoqërore dhe ndonjëherë përjashtojnë shokët e klasës, të cilët për çfarëdo arsye mendohet se nuk përshtaten aty.
Edukatorja Pendergast thotë se ka parë mjaft sjellje të këqija gjatë udhëtimeve në shkollat e vendit, për ta ditur se diçka duhet të ndryshohet.
“Nëse një rregull mbron një fëmijë dhe i ndihmon të rriten e të bëhen persona të fortë, elastikë me privatësi të paprekur, a mendoni se nuk ia vlen?”, ka shkruar ajo në një postim në Facebook.