Derisa inaugurimi i Trumpit më 20 janar po afrohet, qeveritë në shtetet aziatike janë duke u përballur potencialisht me pyetje ekzistenciale rreth asaj se si Trumpi do t’i menaxhojë marrëdhëniet e sigurisë së SHBA-së me miqtë dhe rivalët – dhe a do të qëndrojë në krah të aleatëve nëse testohet.
Për miqtë e Amerikës në Azi, pasiguria nga rikthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë është duke ardhur në një kohë të papërshtatshme.
Kina ka modernizuar ushtrinë e saj dhe arsenalin nuklearë, njëkohësisht duke u bërë më agresive në ambiciet territoriale mbi Detin e Kinës së Jugut dhe mbi Tajvanin. Koreja e Veriut ka rritur retorikën kërcënuese dhe thirret në zhvillimin e programit nuklear ilegal. Të dy vendet kanë rritur përkrahjen për Rusinë gjatë luftës në Ukrainë.
Për dekada, SHBA-ja ka përkrahur sigurinë e aleatëve në regjion, ku ka më së shumti trupa se çdo vend tjetër në botë jashtë SHBA-së. Dhjetëra mijëra ushtarë janë të stacionuar në baza, te aleatët si Koreja e Jugut dhe Japonia, e te vendet me të cilat SHBA-ja ka traktate mbrojtje, sikur Filipinet dhe Australia - SHBA është e detyruar t’i ndihmojë në rast sulmi.
Këto vende tani janë duke u përgatitur për rikthimin e një lideri amerikan që anon nga autokratët, dhe thirret me “Amerika e para” për qasjet në obligimet globale.
Shumë pyetje për Trumpin janë në mendjet e liderëve proamerikanë në Azi, thonë ekspertët në rajon.
A do të kërkojë Trumpi shpenzime të mbrojtjes më të mëdha sesa aleatët mund të përballojnë? A do të marrë hapa ekstrem për t’i tërhequr trupat kur këto kërkesa nuk mund të plotësohen? A do të largohet biznesmeni i kthyer në lider nga marrëveshjet me Xi Jinpingun e Kinës, Kim Jong-Un e Koresë së Veriut ose Rusinë e Vladimir Putinit, që minojnë interesat e aleatëve të SHBA-së?
Në alternativë, a mund ai ndoshta t’i fuqizojë aleancat e SHBA-së dhe të jetë një kundërshtar më i fortë ndaj armiqve të Amerikës?
Në hijen e kësaj pasigurie, liderët nga regjioni janë munduar të krijojnë lidhje të forta me Trumpin e paparashikueshëm, i cili është i njohur ta lidhë politikën e jashtme në raport personal.
Shumë janë duke shikuar me dyshim kërcënimin e “rrethimit me gjemba” të ekonomisë më të madhe në botë nga presidenti i zgjedhur Trump, përmes tarifës 10% në të gjitha importet dhe deri në 60% tarifa në produktet nga Kina, lëvizje që mund të ketë efekte të mëdha ekonomike në të gjithë Azinë.
Por derisa inaugurimi i Trumpit më 20 janar po afrohet, qeveritë në Azi janë duke u përballur potencialisht me pyetje ekzistenciale rreth asaj se si Trumpi do t’i menaxhojë marrëdhëniet e sigurisë së SHBA-së me miqtë dhe rivalët – dhe a do të qëndrojë në krah të aleatëve nëse testohet.
“Forcë e nevojshme?”
Pas Luftës së Dytë Botërore, një rrjet i aleancave të SHBA-së u krijua rreth botës për të shërbyer si një parandalues i fortë kundër një lufte tjetër globale. Një qëllim i madh ishte të parandaloheshin më shumë vende të bëheshin forca bërthamore, duke i vendosur ato nën ombrellën e arsenalit të SHBA-së.
Në sytë e shumë njerëzve në Uashington dhe rreth Azisë, këto aleanca në Azi-Paqësor vetëm sa janë bërë më kritike si pasojë e ftohjeve të marrëdhënieve në regjion.
Kina ka rritur lidhjet e saj të sigurisë me armikun e NATO-s, Rusinë dhe është akuzuar se po e mbështet luftën në Ukrainë përmes blerjes së eksporteve ruse.
Pekini ka shtuar edhe kërcënimet ndaj Tajvanit, duke thënë se do ta kontrollojë edhe me forcë nëse është e nevojshme.
Në Detin e Kinës së Jugut, roja bregdetare e Kinës në muajt e fundit ka sulmuar anijet filipinase, edhe pse asaj i mohohet pronësia e pjesës strategjike kritike të kalimit ujor.
Koreja e Veriut, në të njëjtën kohë, ka rritur kërcënimet ndaj Koresë së Jugut dhe SHBA-së gjatë testimit ilegal të raketave. Po ashtu është duke ndihmuar luftën e Rusisë me municion, raketa, dhe në një eskalim të madh – ushtarë, thonë zyrtarët e SHBA-së.
Por në kohën kur Trumpi po hyn në një skenë globale më komplekse dhe të pakëndshme se në mandatin e parë 8 vjet më parë, ekspertët në Azi thonë se fokusi i tij po duket të jetë te rritja e presionit ekonomik ndaj Kinës më tepër sesa te siguria regjionale.
“Prioriteti kryesor është në marrëdhënien ekonomike dhe në fitoren ekonomike të SHBA-së ndaj Kinës, tha Sam Roggeveen, drejtor në Programin për Siguri Ndërkombëtare në Institutin Lowy në Sidnei.
“Çdo gjë çon në drejtimin e kundërt,” tha Roggeveen. “Ai është i interesuar sigurisht në një ushtri të fortë dhe mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara… por jo në këtë idenë e Amerikës si një forcë e nevojshme që ka një rol unik të sigurisë globale.”
Lideri në ardhje dhe ekspertët e tij kanë insistuar duke vënë në pikëpyetje se a është duke marrë SHBA-ja mjaftueshëm në këmbim nga aleancat dhe a duhet të humben jetë të amerikanëve dhe dollarë për të luftuar luftëra të huaja.
Trump shokoi liderët evropianë, duke thënë se ai do ta inkurajonte Rusinë të bënte “çfarëdo që do” me cilindo anëtar të NATO-s që nuk i plotëson kriteret për shpenzime për mbrojtje që i kanë në NATO.
Duke u përgatitur për Trump 2.0
Javë para ditës së zgjedhjeve, Trumpi drejtoi vëmendjen nga Azia, duke thënë në një intervistë për Bloomberg News që nëse ai do të bëhej president, Koreja e Jugut do të paguante 10 miliardë dollarë në vit për t’i mbajtur trupat e SHBA-së – rreth 8 herë më shumë sesa Seuli dhe Uashingtoni u dakorduan.
Koreja e Jugut shpenzon 2% të bruto-produktit vendor në mbrojtje, konsideruar nga SHBA-ja si një minimum të shpenzimit për mbrojtje nga aleatët. Në dekadën e fundit, SHBA-ja po ashtu ka paguar 90% të kostos për rritjen e kampit Humphreys, bazën më të madhe amerikane jashtë vendit.
Por komentet e Trumpit kanë ngjallur frikë në Seul se ai mund të kërkojë rinegocim të ndarjes së kostos për trupat e SHBA-së, edhe pse një marrëveshje 5-vjeçare ishte arritur më herët këtë vit që do t’i rrisë shpenzimet e Seulit në 8.3% më shumë në vitin 2026. Një rinogocim i dështuar – në rastin më të keq, do të mund të rezultonte në vendim për reduktimin e numrit ose tërheqjen e trupave amerikane, që janë për qëllim të përballen me kërcënimin nga fqinji agresiv verior.
Një skenar i tillë mund ta shtyjë Seulin t’i zhvillojë kapacitetet e veta bërthamore – një hap i parë në një terren të rrëshqitshëm që mund të çojë deri në shpërndarje të armëve në fuqi të tjera të mesme, thonë ekspertët.
Por marrëveshjet me Trumpin janë bërë shumë më të komplikuara për Korenë e Jugut. Ligjvënësit atje votuan mocion mosbesimi ndaj presidentit Yoon Suk Yeol më herët këtë muaj pas shpalljes shokuese të gjendjes së jashtëzakonshme ushtarake nga ai. Vendi tani po përballet me muaj të pasigurisë politike në një kohë kur observatorët thonë se ndërtimi i një marrëdhënieje lider-lider është çelësi.
“Sfida kryesore është nëse Seuli dhe Uashingtoni do të jenë në gjendje të komunikojnë mes vete,” tha Duyeon Kim, një profesor i asociuar në Qendrën për një Siguri te Re Amerikane, me bazë në Seul. Komunikim i këtij lloji është çelësi që të mos ketë pasoja e befasi në aleancën SHBA – Kore e Jugut. Kim tha se mund të ndodhë ndonjë befasi bazuar në retorikën e ashpër të Trumpit ndaj aleatëve.
Në Japoni, ekspertët janë ankuar për mangësitë e perceptuara të kryeministrit Shigeru Ishiba krahasuar me të ndjerin Shinzo Abe, i njohur si “pëshpëritësi i Trumpit” në Azi, për afërsinë e tij me presidentin e zgjedhur gjatë mandatit të parë.
Tokio u zhvendos nga Kushtetuta pacifiste e imponuar nga SHBA-ja pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 2022 ndryshoi qasjen dhe vendosi t’i rrisë shpenzimet për mbrojtje në 2% të GDP-së deri në vitin 2027 dhe për të blerë raketa lundruese amerikane.
Shtetet në rajon po ashtu po shohin nëse administrata Trump vazhdon pjesët kyçe të trashëgimisë së Bidenit: forcimin e partneriteteve në Azi, si pjesë e strategjisë “investo, rreshtohu, konkurro” të administratës për ta kundërshtuar Pekinin.
Biden forcoi grupin e sigurisë Quad (India, Japonia, Australia dhe SHBA-ja) dhe themeloi aleancën AUKUS (Australia, Mbretëria e Bashkuar, SHBA-ja), që synon ta pajisë Canberrën me nëndetëse bërthamore. Po ashtu ndërmjetësoi në rritje të koordinimeve në fushën e sigurisë mes Japonisë, Koresë së Jugut, Filipineve e Australisë.
Trumpi – si një fuqi e paparashikueshme në Shtëpinë e Bardhë – mund t’i hedhë poshtë, mirëmbajë ose edhe t’i thellojë aleancat. Por, në të njëjtën kohë, aleatët aziatikë të Amerikës do të përpiqen ta evitojnë çdo rënie të mbështetjes nga SHBA-ja.
“SHBA-ja tani nuk është konstantja e marrëdhënieve ndërkombëtare, por është më tepër variabli”, tha Murata Koji, profesor i shkencës politike në Universitetin e Doshishas në Japoni. “Kjo është arsyeja që duhet të zgjerojmë sigurinë tonë (jashtë) SHBA-së”, tha ai, duke përmendur edhe se Tokio duhet të thellojë marrëdhëniet me Evropën lidhur me shqetësimet e përbashkëta.
Kina po vëzhgon me kujdes
Ekspertët në regjion ndihen se nuk ka të ngjarë të ketë ndryshime sizmike në prezencën e sigurisë së SHBA-së gjatë administratës Trump, në pjesët e reduktimit të trupave ose prishjen e aleancave, veçanërisht marrë parasysh fokusin e Amerikës në sfidën që paraqet Kina.
“Realitetet gjeopolitike dhe rrethanat do ta obligojnë atë të tentojë ta mbajë ndikimin në regjion. Skenari që po e mendoj unë është më shumë i rinegocimit sesa i tërheqjes së plotë,” tha Collin Koh, asistent në Shkollën e Studimeve Ndërkombëtare në S. Rajaratnam në Singapor.
Dhe vendet nuk do të konsiderojnë vetëm dobësitë potenciale të kthimit të Trumpit, shtoi Koh, duke iu drejtuar perceptimeve në Azi se Bideni hezitoi në disa vendime në Ukrainë, duke e komplikuar situatën për vendin e rrethuar.
“Me ardhjen e Trumpit, mund të ketë shpresë që ai nuk do të jetë si Bideni në termet e krizës – ndoshta Trumpi do të jetë më i vendosur”, tha ai.
Ka shqetësime, gjithsesi, që në rast të politikave ekonomike të pritura agresive ndaj Kinës do të ketë një thyerje në komunikimin mes ushtrive të Kinës dhe SHBA-së, duke rritur rreziqet për konfrontim mes të dyjave. Dhe nëse aleatët e SHBA-së preken nga tarifat e reja amerikane, ato ndoshta nuk do të kenë zgjedhje tjetër por të varen më shumë nga ekonomia e dytë më e madhe në botë.
Në anën tjetër, Trumpi sinjalizoi disa interesime për të punuar me Kinën, duke u bazuar në deklaratat e tij së fundi në CNBC që ai pa disa aspekte të caktuara në politikën e tij paspandemike ndaj Kinës si “hap ekzagjeruar”
Pastaj është edhe pyetja se si Trumpi do ta trajtojë çështjen e Tajvanit – një pikë e parë që shihet si një mundësi që mund të provokojë konflikt mes SHBA-së dhe Kinës.
Një “kompani e sigurimeve”
Bideni qëllimisht theu ambiguitetin amerikan duke thënë se SHBA-ja do ta mbronte Tajvanin nëse Kina pushton ishullin. Po ashtu, ai për herë të parë aprovoi ndihmë ushtarake për ishullin, si kundërpërgjigje ndaj rritjes së presionit ushtarak të Pekinit.
Në kontrast, presidenti i zgjedhur Trump vitin e kaluar tha se do t’i rishikojë marrëdhëniet me Tajvanin. Ai në intervistën për Bloomberg tha që Uashingtoni ishte “jo shumë ndryshe nga një kompani e sigurimeve” për ishullin dhe tha se Tajvani duhet ta paguajë SHBA-në për mbrojtje. Në tetor, ai tha për Wall Street Journal se ai do të vendoste tarifa 150% deri 200% nëse Kina hyn “në Tajvan.”
Por si do të reagonte administrata e Trumpit, në rast të një krize, mbetet e panjohur. Marco Rubio, zgjedhja e Trumpit për sekretar të Shtetit, është avokat i vendosur për Tajvanin dhe JD Vance, zëvendëspresident i zgjedhur nga Trumpi, ka thënë se furnizimi i Ukrainës me sisteme të mbrojtjes ajrore nga SHBA-ja mund ta kufizojnë aftësinë për ta ndihmuar mbrojtjen e Tajvanit nëse Kina sulmon.
Ky argument, gjithsesi, ka shqetësuar ekspertët në Azi.
Shumë në regjion besojnë se mënyra se si Trumpi merret me situatën në Ukrainë do të dërgojë një mesazh vendimtar te aleatët e Rusisë si Kina, Irani dhe Koreja e Veriut – një grup i vendeve që disa në SHBA frikësohen se mund të organizohen në një aleancë. Këto shqetësime mund të jenë veçanërisht akute kur fjala është te Kina, e cila ka vëzhguar nga afër, ndërsa rishikon qëllimet e saja në Tajvan.
Trumpi ka sugjeruar se ai do ta ndalonte luftën në Ukrainë “brenda 24 orëve” dhe thirri për një “armëpushim të menjëhershëm dhe negociata” – një pozicion që përputhet me qëndrimin e deklaruar të Pekinit për luftën, të cilin SHBA-ja dhe aleatët e saj e kanë kritikuar si të dobishme për Rusinë.
“Unë e njoh mirë Vladimirin. Kjo është koha e tij të reagojë. Kina mund të ndihmojë. Bota po pret!” - tha Trumpi në një postim në platformën e tij sociale Truth Social në dhjetor.
Dhe çfarë do të thotë retorika në praktikë, mund të ketë pasoja të mëdha në Azi.
“Nëse Rusia lejohet të largohet sikur ka fituar nga kjo… kjo atëherë fortifikon këtë marrëdhënie (mes Rusisë dhe Kinës)”, tha Robert Ward, drejtor i gjeo-ekonomisë dhe strategjisë në Institutin Ndërkombëtarë për Studime Strategjike në Mbretëri të Bashkuar.
“Dhe Xi Jinping do të jetë duke vëzhguar nga afër, se sa kredibile është NATO-ja. Sa është i gatshëm Perëndimi ta fusë lëkurën e vet në këtë konflikt dhe kjo sigurisht lidhet me Tajvanin”.
Përktheu: Shkelzen Dema