Një sondazh nga Instituti Ndërkombëtar i Sociologjisë në Kiev ka treguar se 67 për qind e të anketuarve i besojnë presidentit Volodymyr Zelensky, krahasuar me 57 për qind sa ishte muajin e kaluar, raporton The Guardian.
Sondazhi është realizuar nga data 14 shkurt deri më 4 mars – në kohën më sfiduese për Zelenskyn, pasi marrëdhëniet e Kievit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbështetësin më të madh ushtarak, u zhytën në krizë pas takimit të tensionuar në Zyrën Ovale më 28 shkurt.
Drejtori ekzekutiv i Institutit, Anton Hrushetskyi, ka thënë se sondazhi reflekton pëlqimin e popullit ukrainas për Zelenskyn, pas më shumë se tre vjetësh prej pushtimit të shkallës së plotë nga Rusia.
“Ukrainasit e perceptojnë retorikën e administratës së re amerikane si sulm ndaj Ukrainës dhe gjithë popullit të saj”, ka thënë Hrushetskyi.
Ai shtoi po ashtu se ukrainasit dëshirojnë paqe, por jo një paqe që ka kosto shumë të larta.
Presidenti amerikan Donald Trump më herët ka bërë thirrje që Ukraina të mbajë zgjedhje, duke pretenduar se Zelensky nuk është president legjitim – retorikë që është përdorur edhe nga Rusia. Por as opozita ukrainase nuk është pajtuar të mbajë zgjedhje në kohë lufte.