Një varkë me emigrantë u fundos në brigjet e Jemenit, duke lënë të paktën 49 të vdekur dhe 140 të zhdukur, ka njoftuar të martën Organizata Ndërkombëtare për Migracionin e Kombeve të Bashkuara.
Varka po transportonte rreth 260 somalezë dhe etiopas nga bregu verior i Somalisë në udhëtimin 320 kilometra përtej Gjirit të Adenit kur u fundos të hënën në brigjet jugore të Jemenit.
Organizata njoftoi se përpjekjet e kërkimit po vazhdonin dhe deri më tani 71 persona janë shpëtuar. Midis të vdekurve ishin 31 gra dhe gjashtë fëmijë, raporton Associated Press.
Jemeni është rrugë kryesore për emigrantët nga Afrika Lindore dhe Briri i Afrikës që përpiqen të arrijnë në vendet e Gjirit për punë. Pavarësisht një lufte civile gati dhjetëvjeçare në Jemen, numri i emigrantëve që mbërrinin çdo vit u trefishua nga viti 2021 në 2023, duke u rritur nga rreth 27 mijë në mbi 90 mijë, ka njoftuar Organizata Ndërkombëtare për Migracionin e OKB-së. Rreth 380 mijë emigrantë janë aktualisht në Jemen, sipas agjencisë.
Për të arritur në Jemen, emigrantët merren nga kontrabandistët në anije shpesh të rrezikshme dhe të mbipopulluara përtej Detit të Kuq ose Gjirit të Adenit. Në prill, të paktën 62 njerëz vdiqën në dy fundosje të anijeve në brigjet e Xhibutit teksa po përpiqeshin të arrinin në Jemen. Organizata bëri të ditur se të paktën 1 mijë e 860 njerëz kanë vdekur ose janë zhdukur përgjatë rrugës, duke përfshirë 480 të cilët janë mbytur.