46 persona kanë vdekur dhe 20 të tjerë janë zhdukur të premten pasi stuhia tropikale “Trami” ka goditur Filipinet.
Zyrtarët kanë paralajmëruar se moti i ligë mund të godasë vendin sërish javën e ardhshme, me reshje të mëdha shiu dhe erëra të forta.
Gati 240 mijë njerëz ishin strehuar në qendrat e evakuimit dhe 7 mijë e 510 pasagjerë u bllokuan në porte. Qeveria ka njoftuar se 36 fluturime janë anuluar të premten.
Presidenti ka udhëzuar që ndihma të dërgohej në zonat më të prekura, raporton Reuters.
Agjencia e mbrojtjes civile ka njoftuar se vdekjet dhe lëndimet janë shkaktuar si pasojë e rrëshqitjeve të dheut, përmbytjeve dhe incidenteve të tjera të lidhura me stuhinë, kryesisht në rajonin qendror Bicol, i cili u përmbyt nga shirat e rrëmbyeshëm.
“Unë i bëj këtë zotim popullit tonë: Ndihma është në rrugë e sipër. Ajo do të vijë nga toka, ajri dhe madje edhe nga deti”, shkroi presidenti Ferdinand Marcos Jr në rrjetin social X.
Stuhia e njohur në vend si “Kristine”, goditi ishullin Luzon të enjten me erëra prej gati 100 kilometrash në orë.