Ish-presidenti i Hondurasit, Juan Orlando Hernandez u dënua të mërkurën në Neë York me akuzat se ai u mundësoi trafikantëve të drogës të përdornin forcën e tij ushtarake dhe policore kombëtare për të dërguar tonelata të kokainës në Shtetet e Bashkuara.
Gjykatësi P. Kevin Castel e dënoi Hernandezin me 45 vjet burgim në SHBA dhe e gjobiti me 8 milionë dollarë. Një juri e dënoi atë në mars në gjykatën federale të Manhatanit pas një gjyqi dy-javor, i cili u ndoq nga afër në vendin e tij, raporton AP.
"Unë jam i pafajshëm. Unë u akuzova gabimisht dhe pa të drejtë”, ka deklaruar Hernandez gjatë vendimit.
Castel e quajti Hernandezin një "politikan me dy fytyra, i uritur për pushtet" i cili mbronte një grup trafikantësh.
Hernandez, 55 vjeç, shërbeu dy mandate si udhëheqës i kombit të Amerikës Qendrore me rreth 10 milionë banorë.
Ai u arrestua në shtëpinë e tij në Tegucigalpa, kryeqyteti i Honduranit, tre muaj pas largimit nga detyra në vitin 2022 dhe u ekstradua në SHBA në prill të atij viti.
Prokurorët amerikanë thonë se Hernandezi ka punuar me trafikantët e drogës qysh në vitin 2004, duke marrë miliona dollarë ryshfet.
Hernandezi e kishte pranuar në dëshminë e gjyqit se paratë e drogës u ishin paguar pothuajse të gjitha partive politike në Honduras, por ai vetë mohoi të kishte pranuar ryshfet.