Mbretëria e Bashkuar është në mesin e 40 vendeve që "dënojnë fuqishëm" sulmet ndaj paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara (OKB) në Liban.
Të enjten, dy paqeruajtës indonezianë u plagosën duke rënë nga një kullë vëzhgimi pasi tanket izraelite qëlluan drejt saj, raporton BBC.
Ndërkaq të premten, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) pranuan se trupat e saj ishin përgjegjëse për një incident në të cilin dy ushtarë të Sri Lankës, në Naqoura, u plagosën dhe thanë se rasti do të hetohej.
OKB-ja ka bërë të ditur të shtunën se një tjetër paqeruajtës është plagosur nga të shtënat me armë në jug të premten, megjithëse se nuk e dinte origjinën e zjarrit.
Në një deklaratë të përbashkët të postuar në X, vendet thonë se sulmet ndaj Forcës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Liban (Unifil) "duhet të ndalojnë menjëherë dhe duhet të hetohen në mënyrë adekuate".
"Ne e konsiderojmë rolin e Unifil si veçanërisht vendimtar në dritën e situatës në rritje në rajon”, thuhet në deklaratë.
Edhe Papa Françesku ka bërë thirrje për "respekt" të paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara (OKB) pasi pesë anëtarë të forcës shumëkombëshe u plagosën në Libanin jugor.
“Unë jam pranë të gjithë njerëzve të përfshirë, Palestinës, Izraelit, Libanit, ku kërkoj që të respektohen paqeruajtësit e OKB-së”, ka deklaruar Papa në Vatikan, raporton AFP.
“Unë bëj thirrje edhe një herë për një armëpushim të menjëhershëm në të gjitha frontet në mënyrë që të ndiqen rrugët e diplomacisë dhe dialogut për të arritur paqen”, ka shtuar ai.