Një raketë ruse ka goditur një ndërtesë tregtare në rajonin jugor të Ukrainës, Odesa gjatë natës, duke vrarë katër persona, përfshirë një 16-vjeçare, ka thënë guvernatori rajonal, Oleh Kiper të premten.
Ky ishte sulmi i katërt rus në portin e Odesës në Detin e Zi dhe rajonet afër, gjatë pesë ditëve të fundit. Kiper ka thënë se është shpallur ditë zie të premten në rajon, për t’i përkujtuar njerëzit e vrarë nga sulmi me dronë rusë më 9 tetor.
“Në dy ditë terroristët rusë kanë vrarë 13 civilë në rajonin Odesa dhe shumica e tyre ishin të rinj”, ka thënë Kiper në platformën Telegram.
Vazhdimi i eksporteve përmes porteve të Detit të Zi është jetik për ekonominë ukrainase, e cila është goditur rëndë nga lufta e Rusisë në Ukrainë, raporton Reuters.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ka thënë se forcat ruse kanë goditur infrastrukturën civile me raketa balistike “Iskander”.
Një ndërtesë tregtare dy katëshe, ku punonin civilë, është goditur dhe 10 persona janë plagosur gjithashtu, kanë thënë zyrtarët.
Prokurori i Përgjithshëm, Andriy Kostin, ka deklaruar se sulmet ruse i shënjestruan infrastrukturat civile me synimin që të krijojnë kushte të tmerrshme jetese për miliona ukrainas.
Forcat ajrore ukrainase kanë thënë se kanë rrëzuar 29 nga 66 dronët rusë të lëshuar në Ukrainë gjatë natës. Sipas Moskës gjithashtu janë lëshuar dy raketa dhe se 32 dronëve u ka “humbur lokacioni”, referencë ndaj luftës kibernetike, ndërsa dy dronë janë rikthyer në territorin rus.