Botë

31 palestinezë u vranë në Gaza gjatë së enjtes

Gaza

Të paktën 14 palestinezë janë vrarë nga një sulm izraelit në një shkollë që strehonte familje të zhvendosura në veri të Rripit të Gazës, e gjithsej 31 gjatë së enjtes, kanë njoftuar mjekët palestinezë.

Ushtria izraelite ka thënë se ka shënjestruar militantët që ndodheshin në kompleks. Disa njerëz janë plagosur dhe të tjerë janë të zhdukur, pasi raketa izraelite goditi shkollën “Al-Falouja” në kampin “Jabalia”, ka thënë Ministria e Shëndetësisë së Gazës dhe Shërbimet e Emergjencës Civile.

Ushtria izraelite ka thënë se sulmi ishte synuar për qendrën e komandimit të Hamasit që ndodhet atje, ka raportuar Reuters.

Ajo shpeshherë e ka akuzuar Hamasin se shfrytëzon objektet civile për qëllime ushtarake. Zyrtarët palestinezë të shëndetësisë thanë se sulmet ushtarake izraelite në të gjithë Gazën kanë vrarë të paktën 31 njerëz gjatë natës së të enjtes.

Gjatë ditës, shtetet perëndimore kanë bërë thirrje për një armëpushim të përkohshëm në Liban, pas një përshkallëzimi në luftimet midis Izraelit dhe Hezbollahut, të cilën Izraeli nuk e ka pranuar.

E në Gaza, shumë palestinezë shpresuan se marrëveshja për t’i dhënë fund luftës në Liban, do ta sillte edhe fundin e luftimeve në enklavën palestineze.