Kievi zyrtar ka thënë të martën se afërsisht 30 trupa ruse janë vrarë gjatë një sulmi ajror në “elementet e infrastrukturës ushtarake” në rajonin rus të Kurskut, shkruan BBC.
“Si rezultat i sulmit është shkatërruar plotësisht”, ka thënë stafi ushtarak i Ukrainës në një deklaratë, duke shtuar se sulmi e “degradon aftësinë e armikut për të kryer operacione kundër forcave mbrojtëse të Ukrainës në rajonet e Sumyt dhe Kurskut”.
Ukraina kishte nisur një ofensivë ushtarake të rrufeshme brenda Kurskut në gushtin e vitit të kaluar, por në javët e fundit forcat e saj kanë filluar tërheqjen taktike nën presionin e ushtrisë ruse.
Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë me dije se një numër i konsiderueshëm i ushtarëve ukrainas janë rrethuar, ndërkaq Ukraina i ka mohuar këto pretendime.