Të paktën 30 palestinezë janë vrarë dhe 50 janë plagosur në një sulm izraelit në një zyrë postare që strehonte banorët e Gazës, bënë të ditur mjekët në Gazë.
Ushtria izraelite pretendon se në këtë sulm ka shënjestruar një anëtar të lartë të Xhihadit Islamik.
Familjet e zhvendosura nga konflikti 14-mujor kishin kërkuar strehim në objektin postar në kampin Nuseirat dhe sipas mjekëve sulmi që ndodhi të enjten vonë e çoi në 66 numrin e të vdekurve brenda ditës në enklavë.
Izraeli ka raportuar se objektivi i tij ishte një udhëheqës i sulmeve të Xhihadit Islamik ndaj civilëve dhe trupave izraelite dhe e akuzoi grupin militant për shfrytëzimin e infrastrukturës civile dhe popullsisë si një mburojë njerëzore për aktivitetet e tij, raporton Reutes.
Në një deklaratë të ushtrisë izraelite thuhet se po shqyrtohet raporti për numrin e viktimave.
Nuseirat është një nga tetë kampet historike të Rripit të Gazës. Tani ai është pjesë e një zone të dendur urbane të mbushur me njerëz të zhvendosur nga e gjithë enklava.
Të enjten, dy sulme izraelite në Gazën jugore vranë 13 palestinezë për të cilët mjekët e Gazës dhe Hamasi thanë se ishin pjesë e një force që mbron kamionët e ndihmave humanitare. Ushtria izraelite pretendon se ata ishin militantë të Hamasit që përpiqeshin ta rrëmbenin dërgesën.