Sulmet ushtarake izraelite vranë të paktën 30 palestinezë gjatë natës në Rripin e Gazës, shumica e tyre në kampin Nuseirat në qendër të enklavës, thanë mjekët të premten. Sulmet ndodhen pasi disa tanke u tërhoqën nga një zonë që e kishin sulmuar.
Mjekët thanë se kishin gjetur 19 trupa të palestinezëve të vrarë në zonat veriore të Nuseirat, një nga tetë kampet e refugjatëve të enklavës.
Disa tanke vazhduan sulmet në zonën perëndimore të kampit dhe Shërbimi i Emergjencave Civile Palestineze njoftoi se ekipet nuk ishin në gjendje t'u përgjigjeshin thirrjeve nga banorët e bllokuar brenda shtëpive të tyre.
Pjesa tjetër e palestinezëve u vra në zonat veriore dhe jugore të Rripit të Gazës, shtuan mjekët.
Ushtria Izraelite nuk wshtw deklaruar tw premten lidhur me sulmet, por tw enjten ka deklaruar se forcat e saj po vazhdojnë “t’i godasin caqet terroriste si pjesë e aktivitetit operacional në Rripin e Gazës”.
Ndërkohë, autoritetet izraelite liruan rreth 30 palestinezë të cilët i kishte ndaluar gjatë ofensivës së vazhdueshme në Gaza në muajt e fundit. Të liruarit mbërritën në një spital në Gazën jugore për kontrolle mjekësore, thanë mjekët.
Palestinezët e liruar, të ndaluar gjatë luftës, janë ankuar për keqtrajtime dhe tortura gjatë paraburgimit. Izraeli i mohon torturat, raporton Reuters.
Përpjekjet mujore për të negociuar një armëpushim në Gaza kanë sjellë përparim të pakët dhe negociatat tani janë pezulluar.
Gjatë fushatës së Izraelit në Gaza janë vrarë rreth 44 mijë njerëz dhe pothuajse të gjithë banorët janë zhvendosur të paktën një herë, thonë zyrtarët e Gazës. Një pjesë e madhe e territorit është shndërruar në gërmadha.
Sipas Izraelit, militantët e udhëhequr nga Hamasi që sulmuan komunitetet izraelite jugore 13 muaj më parë, duke shkaktuar luftën, vranë rreth 1 mijë e 200 njerëz dhe morën peng 250 të tjerë.