Botë

30 të vdekur këtë javë nga përmbytjet në Indi e Bangladesh

Indi

Të paktën 30 persona kanë vdekur këtë javë, si pasojë e përmbytjeve që kanë goditur verilindjen e Indisë dhe rajonin lindor të Bangladeshit fqinj. 

Shiu u ndal në shumë pjesë të Bangladeshit të premten dhe zyrtarët e motit në Daka thanë se ujërat kishin filluar të tërhiqen në disa zona, por sipas tyre situata e krijuar si pasojë e tyre nuk do të përfundojë për ditë të tëra, raporton Associated Press.

Në shtetin Tripura të Indisë, tetë persona kanë vdekur në 24 orët e fundit, duke e rritur numrin e të vdekurve në 19 që nga e hëna, bëri të ditur një zyrtar shtetëror i menaxhimit të fatkeqësive në kushte anonimiteti pasi ai nuk ishte i autorizuar të fliste me mediat. 

Në Bangladesh, shtatë persona të tjerë kanë vdekur në 24 orët e fundit, raportoi të premten Ekhon TV me bazë në Daka. 

Organizata joqeveritare e Bangladeshit, BRAC , ka njoftuar në një deklaratë se deri në 3 milion njerëz mbetën të bllokuar pasi uji me lëvizje të shpejtë përmbyti zona të gjera të tokës bujqësore, duke shkatërruar mjetet e jetesës, shtëpitë dhe të korrat. Sipas organizatës, shumë  njerëz mbetën pa energji elektrike, ushqim apo ujë.