Të paktën 30 persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e turbulencave të forta gjatë fluturimit të një avioni, i cili është detyruar të bëjë ulje emergjente në Brazil.
Air Europa Boeing 787-9 Dreamliner po fluturonte nga Madridi i Spanjës për në Montevideo të Uruguait kur ndodhi incidenti në ajër, ka bërë të ditur linja ajrore, raporton BBC.
Fluturimi UX045 u devijua në aeroportin e Natalit në Brazilin verilindor, ka njoftuar kompania spanjolle në platformën X.
Avioni, i cili kishte 325 pasagjerë në bord, u godit nga turbulencat mbi Atlantik, kur pothuajse kishte arritur në bregun brazilian, sipas një zëdhënësi të Air Europa.
Avioni u ul normalisht dhe u prit nga një flotë autoambulancash.
Zyrtarët e aeroportit kanë thënë se disa pasagjerë kishin nevojë për ndihmë mjekësore dhe u dërguan në spitalin më të afërt.
Pacientët kishin goditur kokën gjatë turbulencës dhe kishin pësuar lëndime, duke përfshirë fraktura të kafkës dhe prerje në fytyrë, sipas autoriteteve shëndetësore.
Incidenti vjen disa javë pasi një fluturim i Singapore Airlines pësoi turbulencave të rënda mbi Birmani duke çuar në vdekjen e një britaniku dhe dhjetëra të plagosur.
Turbulencat e forta janë të rralla, por studimet e fundit kanë treguar se ndryshimi i klimës mund të rrisë rrezikun.