Botë

30 palestinezë të vrarë në Gazë, Izraeli lëshon urdhra të rinj evakuimi

Lufta në Gazë

Ushtria izraelite lëshoi urdhra të rinj evakuimi në veri të Rripit të Gazës të martën, pas kryerjes së sulmeve në të gjithë enklavën, për të cilat media palestineze dhe mjekët thanë se kishin vrarë të paktën 30 njerëz.

Një sulm ajror dëmtoi dy shtëpi në qytetin Beit Lahiya në Gazën veriore, ku ushtria ka kryer operacione të reja që nga 5 tetori dhe vrau të paktën 20 njerëz të hënën vonë, njoftoi agjencia zyrtare palestineze e lajmeve WAFA dhe media e Hamasit.

Katër persona të tjerë u vranë në qytetin qendror të Gazës, Al-Zawayda rreth mesnatës të së hënës, thanë mjekët.

Ministria e shëndetësisë së Gazës nuk i konfirmoi menjëherë shifrat, por zyrtarët palestinezë të shëndetësisë thanë se gjashtë persona ishin vrarë gjithashtu në dy sulme të veçanta ajrore izraelite në qytetin e Gazës dhe Deir Al-Balah në zonën qendrore të enklavës së ngushtë, raporton Reuters.

Ushtria izraelite raportoi pa dhënë detaje se forcat e saj kishin “eliminuar terroristët” në Rripin qendror të Gazës dhe zonën e Jabalia. Trupat izraelite kishin gjetur gjithashtu armë dhe eksplozivë gjatë ditës së kaluar në zonën jugore të Rafahut, në “vendet e infrastrukturës terroriste”, sipas ushtrisë së Izraelit. 

Më vonë të martën, avionët izraelitë hodhën fletushka mbi Beit Lahiya duke urdhëruar banorët që nuk i kanë lënë ende shtëpitë dhe strehimoret të largohen plotësisht nga qyteti.

“Për të gjithë ata që mbetën në shtëpi dhe strehimore, po rrezikoni jetën tuaj. Për sigurinë tuaj ju duhet të shkoni në jug”,  thuhej në fletushkë, e cila ishte shkruar në arabisht.

Izraeli thotë se evakuimet kanë për qëllim t’i mbajnë civilët larg rrezikut ndërsa trupat e tij luftojnë kundër luftëtarëve të Hamasit. Qindra persona të armatosur palestinezë janë vrarë ose kapur në zonën e Jabalia gjatë muajit të kaluar, njofton ushtria.