Botë

29 të vdekur nga sulmet izraelite mbrëmjen e së shtunës në Gaza

Gaza

Foto: Associated Press

Të paktën 29 persona janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Rripin qendror dhe verior të Gazës të shtunën gjatë natës, kanë bërë të ditur mjekët në Gaza.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) filluan një tjetër ofensivë në Jabalia një javë më parë, duke thënë se Hamasi po përpiqej të rikthente infrastrukturën e tij atje, raporton BBC.

Rreth 150 palestinezë janë vrarë atje gjatë javës së kaluar, sipas zyrtarëve shëndetësorë në Gaza.

Njerëzit e zhvendosur në zonë thonë se ushtria izraelite ka rrethuar Jabalian dhe i ka urdhëruar ata të largohen përmes një korridori.

Në Libanin jugor, Hezbollahu thotë se "u përlesh" me ushtarët izraelitë që përpiqeshin të kalonin në fshatin Ramiya, herët të dielën.

Ministria libaneze e Shëndetësisë thotë se 15 persona janë vrarë në tri sulme izraelite gjatë 24 orëve të fundit në Deir Bella, Al Maaysra dhe Barja.

IDF-ja ka thënë ndërkaq se Hezbollahu ka lëshuar rreth 320 predha nga Libani në Izrael të shtunën.