Botë

Shkon në 51 numri i të vdekurve në Liban nga sulmet e reja izraelite

Liban

Foto: Associated Press

Ka shkuar në të paktën 51 numri i të vdekurve si pasojë e sulmeve izraelite në Liban të mërkurën.
Ndërkaq, të paktën 220 kanë mbetur të lënduar. 

OKB-ja ka bërë të ditur se më shumë se 90,000 njerëz janë zhvendosur nga Libani që nga e hëna, raporton BBC.

Mbi 111,000 të tjerë janë zhvendosur tashmë që kur ka nisur lufta në Gaza.

Nga veriu i Izraelit janë zhvendosur të paktën 60,000 persona që kur ka nisur lufta, për shkak të sulmeve të vazhdueshme ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut në Liban.


23 të vdekur nga sulmet ndaj Libanit, Izraeli aktivizon edhe trupat rezervë

Të paktën 23 persona kanë mbetur të vdekur të mërkurën si pasojë e sulmeve izraelite në Liban.

Ministria e Shëndetësisë ka thënë se të vrarët janë identifikuar në lokacione të ndryshme të Libanit jugor.

Ndërkaq ushtria izraelite ka thënë se ka aktivizuar trupat rezervë në përgjigje të rritjes së tensioneve me grupin militant, Hezbollah, raporton AP.

Njoftimi të mërkurën lë të kuptohet se Izraeli është duke planifikuar veprime më të ashpra kundër grupit libanez. Ai po ashtu vjen disa orë pasi Hezbollahu lëshoi raketa në drejtim të Tel Avivit për herë të parë.

Ushtria izraelite ka thënë se ka thirr për “dy brigada të rezervës për misione operacionale në zonën veriore”.

Ndërkohë, kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, u ka bërë thirrje qytetarëve britanikë në Liban që të largohen menjëherë nga atje, për shkak të intensifikimit të luftimeve Izrael-Hezbollah. 

Raportohet se ministria britanike e Mbrojtjes po dërgon 700 trupa në Qipro për t’u përgatitur për evakuimin e mundshëm të shtetasve britanikë nga Libani. Vlerësohet se rreth 10,000 britanikë janë në Liban.

Një numër tjetër i shteteve u kanë kërkuar po ashtu shtetasve të tyre që të largohen nga Libani, përfshirë SHBA-në, Francën, Japoninë, Australinë, Kanadanë, Arabinë Saudite dhe Korenë Jugore.

Ministria libaneze e Shëndetësisë ka bërë të ditur se të paktën 564 njerëz janë vrarë në sulmet izraelite që nga e hëna, duke përfshirë 50 fëmijë dhe 94 gra, dhe se më shumë se 1,800 janë plagosur.

Sulmet intensive izraelite kanë nisur pas shpërthimit të pajisjeve të komunikimit të Hezbollahut javën e kaluar, për të cilat grupi militant ka akuzuar Izraelin.