Sulmet e fundit izraelite në Rripin e Gazës gjatë orëve të hershme të së enjtes kanë lënë të vdekur 23 persona, përfshirë një familje 10-anëtarëshe, kanë bërë të ditur zyrtarët shëndetësorë lokalë.
Ndërkaq, Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka ngritur alarmin mbi ndikimin që bllokada e ndihmave humanitare e vendosur nga Izraeli mund të ketë për mirëqenien e popullatës në enklavën palestineze, transmeton AP.
Izraeli i dha fund armëpushimit me grupin militant palestinez Hamas në muajin që shkoi, dhe i rifilloi operacionet ushtarake që deri më tani kanë lënë të vdekur mijëra persona dhe kanë vendosur nën kontroll pjesë të mëdha të territorit.
Sipas zyrtarëve izraelitë, rinisja e sulmeve ushtarake ka për qëllim rritjen e presionit ndaj Hamasit në mënyrë që të lirohen të gjitha pengjet e mbetura në Gaza.
E ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, njoftoi të mërkurën se trupat ushtarake do të vazhdojnë të mbesin nëpër të ashtuquajturat “zona të sigurisë” në Gazë, Liban e Siri për kohë të pacaktuar.