Sulmet ushtarake izraelite në të gjithë Rripin e Gazës kanë lënë të vdekur të paktën 21 palestinezë, kanë njoftuar autoritetet lokale shëndetësore të hënën.
Zyrtarët shëndetësorë kanë thënë se Izraeli ka vrarë rreth 700 palestinezë që kur ka rinisur sulmet në Gaza të martën e kaluar, duke i dhënë fund javëve të qetësisë relative pas një armëpushimi në janar.
Sipas tyre, vdekjet përfshijnë të paktën 400 gra dhe fëmijë, raporton Reuters.
Grupi islamik Hamas ka thënë se disa nga zyrtarët e tij të lartë politikë dhe të sigurisë janë vrarë gjithashtu.
Izraeli ka njoftuar se ka rifilluar operacionet e tij ushtarake për të detyruar Hamasin të lirojë pengjet e mbetura që mban në Gaza.
Ushtria izraelite ka thënë se bën çmos për të zvogëluar dëmin ndaj civilëve dhe ka vënë në pikëpyetje numrin e të vdekurve nga autoritetet shëndetësore në enklavën e drejtuar nga Hamasi.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit ka thënë se vendi i tij po lufton kundër Hamasit dhe jo kundër civilëve të Gazës.
"Por kur Hamasi lufton me veshje civile, nga shtëpitë e civilëve dhe nga pas civilëve, ai i vë civilët në rrezik dhe ata paguajnë një çmim të tmerrshëm. Kjo është arsyeja pse ne po u bëjmë thirrje banorëve të Gazës që të evakuojnë zonat e luftimit”, ka thënë Katz në X.
Hamasi mohon përdorimin e popullsisë civile dhe pronës për qëllime ushtarake.
Zyrtarët palestinezë të dielën kanë thënë se numri i të vdekurve nga konflikti gati 18 muajsh ka arritur në mbi 50,000.
Izraeli ka filluar ofensivën e tij në Gaza pasi luftëtarët e Hamasit sulmuan Izraelin jugor më 7 tetor 2023, duke vrarë 1200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke marrë më shumë se 250 pengje, sipas të dhënave izraelite.