Të paktën 20 persona janë vrarë përgjatë enklavës së Gazës nga sulmet izraelite, kanë thënë mjekët palestinezë, teksa tanket izraelite kanë depërtuar nëpër pjesët veriore të Khan Younisit të mërkurën, raporton Reuters
Banorët kanë thënë se tanket kanë avancuar një ditë pasi ushtria izraelite ka lëshuar urdhra të reja evakuimi, duke thënë se ka pasur lëshime të raketave nga zona.
Teksa mbetjet e raketave binin në zonat banuese, familjet janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe janë nisur drejt zonës humanitare të Al-Mawasit në perëndim.
Mjekët kanë thënë se 11 persona janë vrarë nga tri sulme në zonat e Gazës qendrore, duke përfshirë gjashtë fëmijë dhe një mjek. Pesë nga të vrarët po prisnin në radhë jashtë një furre buke, kanë thënë mjekët.
Nëntë palestinezë të tjerë janë vrarë nga sulmet me tanke në Rafah, afër kufirit me Egjiptin.
Forcat izraelite qëlluan drejt spitalit “Kamal Adwan” në Beit Lahiya në Gazën veriore për të pestën ditë radhazi, ka thënë drejtori i spitalit, Hussam Abu Safiya, duke shtuar se tre anëtarë të stafit të tij mjekësor ishin plagosur, njëri në gjendje kritike.
Palestinezët thonë se ushtria izraelite po përpiqet t’i dëbojë njerëzit nga skaji verior i Gazës, përmes evakuimeve të detyruara dhe bombardimeve, për të krijuar një zonë tampon.
Ushtria izraelite e mohon këtë dhe thotë se është rikthyer për ta parandaluar rigrupimin e luftëtarëve të Hamasit.