Java e tretë e mandatit të dytë të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është shënuar me disa veprime të mëdha nga administrata e tij.
Nga qëllimi i shprehur që SHBA-ja ka për të ardhmen e Gazës dhe reduktimi i buxhetit për agjencitë e jashtme të ndihmave deri te pezullimi i transgjinorëve në gara sportive, Trumpi, këshilltari i tij Elon Musk, dhe i gjithë ekipi, s’është ndalur me agjendën e tij.
Propozimi që SHBA-ja “të marrë nën kontroll” Gazën
Gjatë një konference për media me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë të martën, Trumpi ka shprehur propozimin që SHBA-ja “të marrë nën kontroll” dhe “ta mbajë” Gazën, duke zhvendosur popullsinë palestineze.
Trumpi ka propozuar edhe zhvillimin e territorit të shkatërruar pas luftës 15 mujore në mes Izraelit dhe Hamasit, dhe shndërrimin e tij në “Rivierën e Lindjes së Mesme”. Përmes postimit në rrjetet sociale ai shtoi se Gaza do t’i dorëzohej SHBA-së nga Izraeli pas përfundimit të luftimeve.
Trumpi ka sugjeruar që zhvendosja të jetë e përhershme kurse zyrtarët e administratës sugjeruan se zhvendosja do të jetë e përkohshme. Çdo zhvendosje e dhunshme e popullsisë do të ishte shkelje e të drejtës ndërkombëtare.
Plani për pushimin e mijëra punonjësve të USAID-it
Mijëra punëtorë të Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtarë(USAID), agjencia kryesore e qeverisë për ndihma jashtë vendit, pritet të largohen nga puna.
Agjencia do të reduktojë shumicën e forcës punëtore nga 10,000 sa ka në të gjithë botën në disa qindra punëtorë esencial. Qëllimi i administratës së Trumpi është ta bashkojë agjencinë që shpërndan miliarda dollarë ndihma çdo vit në të gjithë botën, me Departamentin e Shtetit.
Vendosja e tarifave ndaj Kinës dhe tërheqja e kërcënimeve ndaj fqinjëve
Trumpi u ka vendosur tarifë 10 për qind importeve kineze të martën, por u përmbajt nga kërcënimet e tij për vendosjen e tarifave prej 25% në produktet nga Kanadaja dhe Meksika edhe për 30 ditë, pasi liderët e këtyre vendeve premtuan të rrisin sigurinë në kufij.
Plani për pagesë të punëtorëve federalë që dorëhiqen
Si pjesë e përpjekjeve për të zvogëluar numrin e punëtorëve të qeverisë, administrata e Trumpit ofroi shpërblime për punëtorët federalë që dorëhiqen vullnetarisht nga puna deri të premten (por afati u shty deri me 14 shkurt nga gjykata federale). Pritet që një vendim të merret të hënën gjatë seancës dëgjimore, pas padisë së ngritur nga sindikatat e punëtorëve federalë.
Më shumë se dy milionë punëtorë federalë kanë mbetur konfuzë nga kushtet e marrëveshjes, që administrata thotë se iu lejon të marrin përfitime dhe pagesa deri në shtator në rast se dorëhiqen tani. Kritikët kanë kontestuar ligjshmërinë e ofertës dhe disa sindikata të punëtorëve kanë bërë thirrje për kujdes rreth pranimit të ofertës.
Sanksione ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale
Trumpi ka nënshkruar një urdhër të enjten për vendosjen e sanksioneve në një pjesë të stafit të GJNP-së. Sanksionet vendosin kufizime financiare dhe në viza në individët dhe familjet e tyre që ndihmojnë hetimet e GJNP në qytetarët amerikan dhe aleatët se saj.
Gjykatat me seli në Hagë ndjek penalisht të akuzuarit për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Kohëve të fundit ka lëshuar urdhërarrest ndaj komandantit të Hamasit dhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu mbi akuzat për krime lufte në Gaza, të cilat Izraeli i mohon. Trumpi njoftoi për sanksionet gjatë vizitës së Netanyahut në Washington D.C.
Sulme ajrore ndaj Shtetit Islamik në Somali
Trumpi ka njoftuar se ka urdhëruar sulme ajrore ndaj planifikuesit kryesor të sulmeve dhe të tjerëve nga Shteti Islamik në verilindje të Somalisë më 1 shkurt. Ai deklaroi se “shumë terroristë” janë vrarë “pa lënduar civilët”. Zyra e presidentit të Somalisë ka mirëpritur mbështetjen e palëkundur në luftimin e terrorizmin ndërkombëtarë.
Tërheqja nga institucionet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara
Trumpi të martën ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për tërheqjen e SHBA-së nga agjencia kryesore e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA). Urdhri i njëjtë parasheh se SHBA-ja nuk do të marrë pjesë në Këshillin për të Drejtat e Njeriut të OKB-së (UNHRC), dhe do të rishikojë statusin e anëtarësimit në Organizatën për Edukim, Shkencë dhe Kulturë të OKB-së (UNESCO) brenda 90 ditësh.
Avioni i parë me të dëbuar në Guantanamo
SHBA-ja ka dërguar avionin e parë me imigrantë ilegalë në Guantanamo të martën, pasi Trumpi njoftoi për planin për zgjerimin e ndalimit të imigrantëve dhe dërgimin e tyre në bazën detare të SHBA-së në Kubë.
Në Guantanamo do të dërgohen imigrantët e rrezikshëm të cilëve nuk u besohet kthimi në vendin e tyre. Baza pritet t’i mbajë 30,000 imigrantë ilegalë. Gjatë javës ka pasur edhe fluturime për kthimin e imigrantëve më Indi.
Kushtëzimi i Ukrainës me minerale të rralla për ndihmë ushtarake
Të hënën Trumpi ka deklaruar se Ukraina duhet të garantojë furnizimin me minerale të rralla në këmbim për 300 miliardë dollarëve në mbështetje për të luftuar kundër Rusisë. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka deklaruar se vendi i tij është i hapur për investime nga kompanitë amerikane. Ukraina është e pasur me rezerva të uraniumit, litiumit dhe titaniumit, që mund të përdoren për mbrojtje dhe elektronikë.
Ndalimi i transgjinorëve nga garat sportive të grave
Trumpi ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv të mërkurën që ua ndalon pjesëmarrjen grave transgjinore në garat sportive të grave. Urdhri parasheh udhëzime, rregullime dhe interpretime ligjore më shumë rreth shkollave të mesme, universiteteve dhe sporteve lokale. Urdhri përfshin edhe ndalimin e pjesëmarrjes së transgjinorëve në Lojërat Olimpike të 2028-tës, përfshirë edhe refuzimin e vizave për ato nga jashtë vendit.
Shkarkimin e ujit nga digat në Kaliforni
Trumpi të hënën ka urdhëruar inxhinierët e ushtrisë të shkarkojnë miliarda litra ujë nga dy rezervarët e Grykës Qendrore të Kalifornisë, pas zjarreve vdekjeprurëse në Los Angeles në janar. Ai deklaroi se Kalifornia ka pasur mjaftueshëm rezerva të ujit që do të bënin diferencë të madhe në luftimin e zjarreve, por që është kontestuar nga disa zyrtarë.
Uji i shkarkuar ka shkuar në shtratin e një liqeni të tharë më shumë se 160 kilometra larg prej zjarreve. Ekspertët kanë treguar se uji nuk mund të shkojë në Los Angeles dhe me shumë gjasë do të shkojë dëm. Guvernatori i Kalifornisë, Ted Lieu, ka deklaruar se uji po kursehej për verës për të ndihmuar fermerët.
Taskforca për të luftuar “betejën kundër të krishterëve”
Trumpi të enjten ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që synon “të mbrojë lirinë fetare të amerikanëve dhe të ndalojë përdorimin e qeverisë si armë kundër-krishtere”.
Intervenimi në problemin në golf
Trumpi, si lojtar dhe pronar i shumë fushave të golfit nëpër botë, është ftuar për të ndërmjetësuar një problem në mes organizatorëve të dy kampionateve PGA Tour dhe LIV Golf. Sipas përfaqësueseve të kampionateve, Trumpi ka ndihmuar në afrimin e marrëveshjen.
Largimi i çështjes së ndryshimeve klimatike nga uebfaqet e qeverisë
Duke filluar nga java e kaluar, administrata e Trumpit ka urdhëruar që disa agjenci qeveritare të largojnë referencat për ndryshimet klimatike nga uebfaqet e tyre. Uebfaqet e prekura kryesisht janë të Departamentit të Transportit, Mbrojtjes dhe Agrikulturës, por ka kursyer disa agjenci si NASA, Agjencinë për Mbrojtjen e Ambientit dhe departamentet e energjisë. Largimi i tyre u bë me ndikimin e Elon Muskut.
Rritja e qasjes në DOGE
Trumpi ka deklaruar të premten se ai ka urdhëruar Departamentin e ri të Efiçiencës Qeveritare (DOGE) që udhëhiqet nga Musk, nismë për tkurrjen e qeverisë federale, për të “kontrolluar” shpenzimet në Departamentin e Mbrojtjes në mesin e agjencive të tjera. Ai i ka dhënë DOGE-it qasje edhe në Departamentin e Thesarit të SHBA-së.
Joe Bidenit i hiqet e drejta për qasje në informacione të klasifikuara
Trumpi i ka hequr të premten ish-presidentit Joe Biden të drejtën për qasje në informimin ditor të inteligjencës, të njëjtën gjë që Bideni ia kishte bërë Trumpit katër vjet më herët. Përmes rrjeteve sociale ka shkruar “se nuk ka nevojë që Joe Biden të vazhdojë të ketë qasje në informata të klasifikuara”.
Përgatiti Shkëlzen Dema