Botë

135 persona vdiqën në stampedon në Guine, thotë grupi i të drejtave

Guinea

Të paktën 135 njerëz kanë vdekur në stampedon gjatë ndeshjes së futbollit në Guinenë juglindore të dielën, ka thënë një organizatë lokale e të drejtave të njeriut. Shifra është dyfish më e lartë se ajo paraprake prej 56 viktimash, raporton Reuters.

Vendimi i diskutueshëm i gjyqtarit shkaktoi dhunë në turmë dhe breshëri të gazit lotsjellës nga policia gjatë ndeshjes në qytetin Nzerekore, duke çuar në përleshje vdekjeprurëse teksa spektatorët u përpoqën të iknin.

Sipas organizatës, vlerësimi bazohej në informacionet nga spitali, varrezat, dëshmitarët në stadium, familjet e viktimave, xhamitë, kishat dhe shtypin lokal.

“Ne vlerësojmë tani se 135 njerëz kanë vdekur në stadium, shumica fëmijë nën moshën 18-vjeçare”, thuhet në deklaratën e organizatës, duke shtuar se mbi 50 persona mbesin të zhdukur.

Grupi i të drejtave ka fajësuar forcat e sigurisë, për përdorim të tepërt të gazit lotsjellës dhe që ka pasur prioritet mbrojtjen e zyrtarëve para spektatorëve.

Gjithashtu ka thënë se automjetet që ndihmuan zyrtarët dhe të tjerët të largoheshin nga stadiumi, kanë shkelur spektatorët në atë që e ka quajtur si zonë të mbipopulluar, porta e së cilës po pengohej nga forcat e sigurisë.

Sipas organizatës, duhet të mbahen përgjegjës organizatorët e turneut, si dhe junta qeverisëse e Guinesë, pasi ata ofruan mbështetje teknike dhe financiare për nder të udhëheqësit ushtarak, Mamady Doumbouya.

Qeveria, e cila premtoi të hënën se do ta nisë hetimin, nuk i është përgjigjur deklaratës së grupit.