Botë

13 të vdekur në përplasjen mes policisë dhe bandave në Brazil

Brazil

13 persona kanë vdekur nga dhuna e bandave në katër ditët e fundit në Porto Velho, kryeqytetin e shtetit të Rondonia në Brazil, gjatë përplasjeve në mes policisë dhe bandave. Kjo ka ngritur shqetësimet për rritjen e fuqisë së bandave në këtë rajon, raporton Reuters.

Tetë persona kanë vdekur si pasojë e sulmeve të bandave, ndërsa pesë të tjerë kanë vdekur në përplasje me policinë që nga mëngjesi i të martës, ka njoftuar departamenti i sigurisë në Rondonia.

Bandat kanë djegur 20 autobusë, shumica e tyre i takonin shkollave, për të protestuar kundër aksioneve të policisë. Sulmi ka shtyrë policinë të limitojë orët e shërbimit të transportit publik dhe të shoqërojë autobusët e qytetit.

Kriza ka shtyrë që qeveria federale të dërgojë forca kombëtare të sigurisë publike në Rondonia për të ndihmuar policinë e shtetit ta ndalojë valën e dhunës që ka zgjatur rreth 90 ditë.

Policia e Porto Velho ka njoftuar se sulmet janë hakmarrje nga grupi kriminal “Comando Vermelho” kundër operacioneve të policisë në një kompleks banimi që kontrollohet nga banda.

Edhe pse grupi kriminal “Comando Vermelho” ishte krijuar në shtetin e Rio de Janiero, mijëra kilometra larg, grupi ka rritur shumë fuqinë në rajonin e Amazonës gjatë viteve të fundit.

Një raport nga Forumi Brazilian i Sigurisë Publike ka treguar se krimet janë duke u rritur shpejt në rajonin e Amazonës, pylli tropikal më i madhi në botë. Në vitin 2023, rajoni ka regjistruar 34 vrasje për 100 mijë njerëz, pothuajse dyfish sa mesatarja kombëtare.

Derisa rajoni i Amazonës për dekada kishte probleme mes fermerëve mbi pronësinë e tokave, dhuna e kohëve të fundit është në mes bandave për të kontrolluar rrugët e transportit të drogës.

Rondonia është në kufi me Bolivinë, prodhues kyç droge, dhe kohëve të fundit është bërë rrugë kryesore e transportimit të drogës, sipas hetimit të policisë. Në dekadën e fundit policia ka konfiskuar 20 tonë kokainë në këtë shtet, më së shumti se në të gjithë vendin.

“Pylli i Amazonës është ambient perfekt për krime, bandat kontrollojnë territorin dhe definojnë rregullat”, thuhet në raportin e think-tankut brazilian.